Britania rrethon ambasadën e Ekuadorit, ku strehohet Assange

Ambasada tashmë është e rrethuar me afro 40 policë për t’u siguruar që australiani nuk nxirret fshehurazi pas marrjes së azilit politik. Gjashtë policë janë vendosur në ambientet e brendshme të ndërtesës dhe korridore, duke ruajtur ashensorët dhe aksesin në oxhakun e ndërtesës.
Operacacioni i ruajtjes se Assange kushton 50 mijë stërlina në ditë për qeverinë britanike. Polica ka në dispozicion pajisje dedektimi ndaj nxehtësisë trupore në përpjekje për të shmangur cdo tentativë për përdorimin e çantave të posaçme diplomatike apo mobile për të ndihmuar në largimin e Assange nga ambientet e Ambasadës.
Përveç policisë, një armatë e tërë e medias vendase dhe të huaj është stacionuar përpara ambasadës së Ekuadorit. Ambasada e cila gjendet në katin e parë të një ndërtese me apartamente në Knightsbridge, shumë afër kompleksit gjigant dhe të famshëm në tërë botën të shopingut Harrods, ka dhjetë dhoma dhe një bodrum, ku të gjitha ambientet janë zyra.
41-vjeçari Assange deri përpara pak javësh flinte në një dyshek që fryhej me ajër, por tashmë i kanë vendosur një krevat normal dhe kanë instaluar edhe një dysh. Ndërkohë ushqimet janë kryesisht të blera nëpër restorantet përreth zonës dhe gatime në kuzhinën e vogël të ambasadës. Përveç këtyre ai ka edhe një pajisje vrapimi që gjendet rëndom nëpër palestra si dhe një llampë diellore dhënë nga e ëma e tij. Ndërkohe ai ka akses në internet.
Ky rrethim i një ambasade të huaj nuk është unikal. Edhe pse në kushte dhe për motive krejt të tjera, kjo të kujton në disa elemente situatën në Ambasadën italiane në Shqipëri në vitet ‘80 me familjen Popa.
Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje diplomatike duket se Asanazh, do të jetojë për muaj ose edhe vite të tëra i mbyllur në ambientet e Ambasadës së vogël të Ekuadorit në Londër, çka gjithsesi është shumë më e rehatshme se sa një qeli burgu në Suedi.
Ndërkohë, Organizata e Shteteve Amerikane, ku përfshihen shtetet e Amerikës së Veriut dhe Amerikës Latine vendosën mbajtjen e një takimi të premten që vjen për të diskutuar në lidhje me përplasjen Britani-Ekuador për Julian Assange, pasi ky i fundit përfitoi azilin politik në shtetin amerikano-latin.
Nga 26 vende, 23 prej tyre votuan pro mbajtjes së takimit në Washington ditët e fundit të javës së ardhshme, ndërkohë që SHBA vetë votoi kundër një takimi të tillë.
Assange është shndërruar në një mollë sherri mes Britanisë dhe Ekuadorit. Autoritetet britanike kërkojnë të zbatojnë një vendim gjykate që e ekstradon atë në Suedi ku akuzohet për përdhunim, akuza këto që vetë australiani i ka hedhur poshtë. (TCH)