E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania shmang reçesionin e trefishtë

Ekonomia britanike ka shmangur rënien sërish në reçesion. Zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi se vlerësimet e saj paraprake për GDP-në tregojnë se ekonomia u rrit me 0.3 për qind në tremujorin e parë të vitit.

Të dhënat tregojnë se ekonomia shmangu dy tremujorë rresht kontraktimin, siç njihet përkufizimi i reçesionit. Më parë ekzistonte frika se Mbretëria e Bashkuar do të hynte në reçesionin e tretë në pesë vjet, i njohur ndryshe si reçesioni i trefishtë.

Ekonomistët thonë se lajmi pritet tu japë një nxitje të vogël psikologjike konsumatorëve dhe bizneseve, por pamja e jashtme e ekonomisë mbetet po e njëjta.

Ekonomia britanike ka përjetuar një seri lëkundjesh sizmike që kur kriza financiare goditi mbarë globin në vitin 2008, e shoqëruar me ritme të ulëta rritjeje dhe tkurrje.

Rritja e dobët ka bërë që agjencitë ndërkombëtare të kreditimit të ulin vlerësimin maksimal AAA për Britaninë.

Duke komentuar shifrat, sekretari financiar i opozitës, Chris Leslie deklaroi se rritja nuk është aq e mirë sa duhet. Pas tre vitesh lëkundje, ne duhet të shohim prova vendimtare se ekonomia është në rimëkëmbje e sipër, tha Leslie.

Qeveria insiston se masat anti-krizë janë jetike për të ulur borxhin dhe për të garantuar një rritje afatgjatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›