Brovina: Vizioni ynë, standarde bashkëkohore për studentët
Menaxhimi i "Qytetit të Studentëve". Flet për "Shekullin" drejtori, Bujar Brovina
"Qyteti Studenti" tashmë ka hyrë në historinë moderne të Shqipërisë si zemra e demokracisë. Bash në atë vend ranë kambanat e shembjes së diktaturës komuniste. Pas 20 vitesh qyteti rinor i demokracisë, shihet si tokë e bekuar ku dhjetëra gjenerata janë dhe vazhdojnë të rriten në atë hapësirë.
Më një sipërfaqe 288 mijë metra katror, tempulli i demokracisë ka në gjirin e saj çdo vit mbi 6 mijë e 800 studentë. I shtrirë sipër kokës së fakultetit Ekonomik, syri të rrok një hapësirë të pafundme gjelbërimi, infrastrukture në nivele të kënaqshme, godina të riparuara, ambiente çlodhëse, mjedis të pastër, kushte të volitshme për lexim dhe studim...
Manifestimet e ndryshme kulturore e bëjnë këtë qendër studentore joshëse, jo vetëm për studentet, por edhe për vizitorë të tjerë. Përtej kësaj panorame, drejtori i "Qytetit Studenti", Bujar Brovina, rrëfen në detaje për projektet, menaxhimin, risitë dhe prioritetet në funksion të përmirësimit të jetës së studentëve në kuadër të standardeve bashkëkohore.
Duke lënë mënjanë modestinë, preferoj ta mas punën time përmes një analize cilësore. Si një nga investimet cilësore për këtë vit akademik do të konsideroja që sallat e leximit të të gjitha bujtinave do të pajisen më internet, pra, studentët do të kenë internet në ambientet e banimit të tyre.
Për t'u paraprirë fenomeneve burokratike, sapo u mbyll viti akademik, nisëm menjëherë punën që në një kohë rekord të nisë procesi i regjistrimit të studentëve në bujtina.
Thënë në mënyrë metaforike ky qytet tashmë mund të quhet edhe si qyteti i vajzave. Nga statistikat e sivjetme me rezulton se raporti i vajzave dhe djemve që akomodohen në bujtina është 7 me 3 në favor të vajzave. Kam përshtypjen se kjo shifër është një lloj argumenti që bazohen në qetësinë dhe sigurinë që ofron ky qytet.
Me komunitetin-studentët nuk mund të sillesh si një burokrat, as duke krijuar një sistem mbyllës, përkundrazi nevojitet përkujdesje institucionale dhe prindërore, nevojitet një sistem komunikues me ta.
I gjithë përkushtimi im dhe i stafit me të cilin bashkëpunoj mbetet maksimalizimi i vizionin tonë që përputhet me prioritetet e studentëve.
1. Zoti Brovina, shikuar së jashtmi, "Qyteti Studenti" është transformuar pozitivisht, gjithsesi neve na intereson të dimë, cilat janë parapërgatitjet për fillimin e vitit akademik 2010-2011?
Për t'ju përgjigjur pyetjes suaj, më lejoni të konstatoj se për mua nuk shumë rëndësi forma, por përmbajtja. Pra, "Qyteti Studenti" nuk është thjeshtë imazh pozitiv i krijuar së jashtmi, por një realitet faktit i përmirësimit të kushteve dhe standardëve për mirëqenien e banorëve të përhershëm të këtij qyteti që janë studentët.
Mjafton të përmendim disa nga investimet kryesore për të kuptuar në thelb transformimet në shumë aspekte. Tashmë jemi në fazën përmbyllëse të ristrukturimit të dy bujtinave 22-23 që kapin vlerën 300 mijë euro, të cilat finalizojnë përmbylljen e kapitullit të rikonstruksionit të përgjithshëm të 26 bujtinave studentore.
Gjithashtu, në kuadër të investimeve ne i kemi dhënë përparësi hapësirës së gjelbër, infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera publike që janë jetike për studentet. Në këtë kontekst, për këtë vit akademik, ne kemi arritur të bëjmë funksionale 5 mijë e 600 m2 gjelbërim.
Akset rrugore që përshkruajnë qytetin studenti janë krejtësisht të asfaltuara, përfshirë trotuaret dhe ambientet dekorative. Ne u garantojmë studentëve 24 orë drita, pastërti, ndriçim publik, siguri, qetësi, argëtim dhe komoditet në bujtinat e tyre.
2. Shikuar në retrospektivë, ambientet e bujtinës, ashtu siç parapëlqeni ta emërtoni ju, kanë qenë kaotikë, në një dhomë banonin pesë, apo më shumë student, çfarë u ofroni sivjet studentëve në këtë drejtim. Aktualisht jeni të gatshëm për të pritur studentët që duan të regjistrohen?
Ndoshta mund t'ju tingëllojë letrare, sidoqoftë emërtimi i ambienteve të studentëve Bujtina (me bujt) nuk është veprim kapriçoz i administratorit të "Qytetit Studenti". Pa dashur të hyj në hisen e gjuhëtarëve, gjithsesi marr të drejtën të them se ky emërtim buron nga gjuha shqipe, sakaq emërtimet e mëparshme, konvikt, apo godinë nuk besoj se gjenden në fjalorin e shqipes.
Që t'i përmbahem thelbit të pyetjes suaj, më lejoni të sjell në vëmendjen e publikut një risi. Për herë të parë, studentet në vitin akademik 2010-2011 do akomodohen tre veta në një dhomë. Për t'u paraprirë fenomeneve burokratike, sapo u mbyll viti akademik nisëm menjëherë punën që në një kohë rekord të nisë procesi i regjistrimit të studentëve në bujtina.
Në këtë kuptim brenda një kohe të shkurtër, ne arritëm objektivin, tashmë është finalizuar regjistrimi i studentëve me përjashtim të studentëve të vitit të parë, për shkak se duhet të presim regjistrimin e tyre nëpër fakultete.
Natyrisht këto që thashë më lart i konsideroj si detyrimet tona në funksion të përmirësimit të jetës dhe standardeve për studentët. Duke lënë mënjanë modestinë, unë preferoj ta mas punën time përmes një analize cilësore.
Si një nga investimet cilësore për këtë vit akademik do të konsideroja që sallat e leximit të të gjitha bujtinave do të pajisen me internet, pra, studentët do të kenë internet në ambientet e banimit të tyre.
3. Kur flasim për "Qytetin Studentëve", natyrshëm lind pyetje se në çfarë nivelesh është siguria dhe qetësia publike?
Një nga prioritetet e punës sonë është pikërisht rritja e nivelit të sigurisë dhe qetësisë në qytetin e studentëve. Ne si institucion menaxhues kemi bashkëpunim mjaft të mirë me organet e rendit dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi them se kemi pasur sukses në këtë drejtim.
Natyrisht nuk përjashtoj debate, apo zënka sporadike, por në tërësi në qytet mbretëron siguria dhe qetësia. Në këtë kontekst, po ju jap një shifër, e cila duhet parë edhe në dritën e qetësisë dhe sigurisë.
Thënë në mënyrë metaforike, ky qytet tashmë mund të quhet edhe si qyteti i vajzave. Nga statistikat e sivjetme me rezulton se raporti i vajzave dhe djemve që akomodohen në bujtina është 7 me 3 në favor të vajzave. Kam përshtypjen se kjo shifër është një lloj argumenti që bazohen në qetësinë dhe sigurinë që ofron ky qytet.
4. Një nga problemet që ballafaqohen studentët me degata të tëra është sistemi i ngrohjes, keni një projekt për ta zgjidhur këtë problem jetik?
Pajtohem plotësisht me konstatimin tuaj. Me gjithë përpjekjet për të riparuar kaldajat, zgjidhja e problemit kërkon investime të mëdha, ngaqë ato ekzistuese janë tejet të amortizuara, sepse i përkasin viteve '80-të.
Në këtë kuadër shfrytëzoj rastin të bëj të ditur se tashmë është finalizuar projekti për të zgjidhur përfundimisht problemit e ngrohjes. Kemi të bëjmë me një investim të madh dhe serioz ku në kuadër të projektit "KJOTO" me seli në Firence, ne mendojmë se brenda vitit 2012, "Qyteti Studenti" do të zgjidhë përfundimisht sistemin e ngrohjes. Ky projekt synon që kaldajat të jenë moderne dhe në bazë të standardeve bashkëkohore.
5. Po flasim për "Qytetin e Studentëve", mirëpo në këtë territori banojnë edhe qytetarë që nuk janë student, apo nuk përbën problem për juve?
Natyrisht që përbën problem, nëse ne si menaxhues të këtij qyteti do të kishim në dispozicion tre bujtina, në të cilat për vite me radhë jetojnë familjarë, lehtësisht do të shtonim kapacitetet tona për të mirëpritur studentë të tjerë, sikundër do të reduktonim ndjeshëm numrin e studentëve në dhoma. Gjithsesi unë mendoj se problemi që juve me të drejtë ngrini është social, ndaj duhet të kemi mirëkuptim për një situatë të tillë.
6. Së fundi, keni 5 vite në krye në drejtorisë së "Qytetit Studenti", vazhdimi i mandateve është si rezultat i sistemit të meritave, apo?
Së pari, nuk më pëlqen të quhem drejtor, por menaxher. Në fakt, ky është roli dhe misioni im në këtë detyrë që bashkë më stafin të jemi në funksion dhe në shërbim të përmirësimit të standardeve të jetës sociale për studentët. Unë e konsideroj punën time jo si privilegj, por si përgjegjësi maksimale. Që të jemi të qartë, unë jam i vetëdijshëm për punën që më është ngarkuar, është një punë specifike ngaqë i tillë është komuniteti që unë i shërbej.
Gjithçka kërkon organizim, projektim, ide, vizion dhe implementim. Studentët nuk duan t'ia dinë sesa është buxheti ynë, fundja ata paguajnë për të pasur shërbimet, ujin, dritat, ndriçimin, gjelbërimin, rrugët, trotuaret, pastërtinë, qetësinë, sigurinë, bibliotekën, sallën e ngrënies, sallat e leximit, ambientet argëtuese, internetin. E thënë më troç, synimi dhe qëllimi ynë është të ofrojmë për studentët kushte bashkëkohore për studim. Duke qenë se neve si menaxhues jemi në varësi të ministrisë së Ekonomisë dhe të Arsimit.
Natyrisht suksesi ynë i atribuohet edhe dy ministrive përkatëse. Për t'u ndërlidhur sërish më pyetjen tuaj, mendoj se kriteret e meritave kanë shtuar jetëgjatësinë e përgjegjësisë sime në krye të menaxhimit të "Qytetit të Studentëve." Them përgjegjësi, ngase punë ime dhe e stafit është shumëdimensionale. Marrë të drejtën të pohoj se nuk e konsideroj veten thjeshtë titullar i një dikasteri delikat, por e kam bindur me kohë veten se në radhë të parë duhet të jem prind i mirë, i kujdesshëm dhe komunikues.
Me komunitetin-studentët nuk mund të sillesh si një burokrat, as duke krijuar një sistem mbyllës, përkundrazi nevojitet përkujdesje institucionale dhe prindërore, nevojitet një sistem komunikues me ta. Telefoni im dhe dera e zyrës është gjithnjë e hapur për studentët. Në këtë kuptim mendoj se një pjesë e konsiderueshme e suksesit të një menaxhuesi qëndron pikërisht tek komunikimi i drejtpërdrejtë me komunitetin përmes të të cilit zhvillohen debate konstruktive ku secili mbart përgjegjësitë e veta.
Falë këtij komunikimi kam kuptuar mesazhin e tyre: Ata duan kushte optimale dhe standarde bashkëkohore për studime. Për hir të së vërtetës këtë mesazh e kam rrok me kohë. I gjithë përkushtimi im dhe i stafit me të cilin bashkëpunoj mbetet maksimalizimi i vizionin tonë që përputhet me prioritetet e studentëve.