E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruceloza, nis zbatimi i projektit të BE-së

Bageti te imeta / Foto ilustruese

Sëmundja e brucelozës është e përhapur në territorin e të gjithë vendit dhe për vaksinimin e bagëtive po ndihmon dhe projekti PAZA i BE-së. Zbatimi i këtij projekti ka nisur në komunën e Bushatit në Shkodër, ku sipas shefit të sektorit të epidemiologjisë në Ministrinë e Bujqësisë, Fisnik Kolheku, synohet vaksinimi i të gjithë bagëtive të imëta, pasi bruceloza rrezikon dhe infektimin e njerëzve.

Sipas tij ,vaksinimi është një proces që zhvillohet prej vitesh për të luftuar një sëmundje tepër të rrezikshme për bagëtitë, por dhe për njerëzit. Ai ka theksuar se janë përdorur të gjitha strategjitë e mundshme që ka pasur dikasteri i bujqësisë dhe ushqimit dhe këtë vit kanë dhe përkrahjen e projektit të BE-së.

Synohet vaksinimi i 130 000 krerëve bagëti të imëta në qarkun e Shkodrës në një periudhë 10-ditore. Sipas kryeveterinerit Selim Kraja, janë angazhuar 60 operatorë privatë, kryesisht mjekë veterinerë të trajnuar, është tërhequr e gjithë sasia e nevojshme e vaksinës dhe po zbatohet zinxhiri ftohës deri në aplikimin tek bagëtitë. / ANILA  DUSHI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›