E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të pjesshme

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të pjesshme për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Pas takimit maratonë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, kryeministrat e dy vendeve Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, zgjidhën detajet për disa çështje të hapura në fushën e drejtësisë, policisë dhe rreth zhvillimet të zgjedhjeve lokale në vjeshtë.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton tha se në këto negociata është analizuar progresi i deritashëm dhe se ka progres konkret drejt normalizimit të raporteve.

Është bërë punë e mirë dhe është arritur progres konkret. Kryeministrat sot vijuan më tej dhe u ranë dakort për një varg çëshjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme  lokale, tha Ashton.

Takimi është zhvilluar para takimit të liderëve të BE-së, i caktuar për javën e ardhshme më 28 qershor, për të vlerësuar nëse është arritur mjaft progres në pajtimin e palëve, në mënyrë që Serbia të marrë datën e anëtarësimit në BE, dhe që Kosova të nisë negociatat për paktin e stabilizimin asociimit.

Në sajë të takimit të Këshillit të ministrave dhe Këshillit Evropian javën e ardhshme, unë do të njoftoj vendet anëtare të BE-së për progresin dhe zbatimin e marrëveshjes, ka thënë Ashton në një deklaratë që publikoi pas takimit.

Darka e punës në Bruksel që nisi në orën nëntë të mbrëmjes të enjten dhe ka mbaruar rreth orës 3 pas mesnate. Edhe pavarësisht lajmërimeve, palët nuk arritën që gjatë asaj kohe të arrijnë marrëveshje për telekomin dhe energjetikës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha pas takimit se ka pajtueshmëri të përgjithshme për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në vjeshtë reformën, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, periudhat kohore, e në të njejtën kohë që do të ftohet edhe OSBE-ja si lehtësuese, menaxhuese dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve.

Kemi vazhduar së diskutuari edhe sa i përket policisë, mundësisë së emërimit të shpejt të komandantit rejonal në Mitrovicë, që duhet të punoj sipas ligjit dhe standardeve kosovare. Kemi shënuar progres edhe në ligjin për amnisti, megjithëse të dy ministrat e drejtësisë janë duke vazhduar së diskutuari, edhe me ekipet e tyre profesionale që ta përmbyllin sonte përfundimisht, tha ai.

Kështu që lirisht mund të them se ka qenë një takim i vullnetit të mirë, të ecjes përpara, dhe i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, ndërsa jemi dakorduar në të njëjtën kohë që takimi i radhës të mbahet në nivel të kryeministrave më 8 korrik, theksoi kryeministri Thaçi.

Delegacioni serb nuk është prononcuar pas takimit.

Bisedimet do të vazhdojnë në nivel të kryeministrave më 8 korrik, ndërsa grupet punuese do të vazhdojnë punën në temat e energjetikës dhe telekomit gjatë ditës së sotme, dhe ditëve të ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›