E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, nis sot raundi i tretë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Në Bruksel do të zhvillohet raundi i tretë i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të diskutohet për tema të reja.

Në një njoftim të qeverisë theksohet se në këtë raund të ri të bisedimeve do të diskutohet për energjinë elektrike, telekomunikacionin dhe lëvizjen e lirë.

Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohet nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ndërsa në ekipin e saj bëjnë pjesë : Lirim Greiçevci-këshilltari politik i Kryeministrit Thaçi, Dren Zeka - këshilltari kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Gazmir Raci - këshilltar politik i Zëvendëskryeministres Tahiri dhe Arjeta Rexhaj - këshilltare politike e Zëvendëskryeministres Tahiri. Gjithashtu në delegacionin e Kosovës marrin pjesë edhe ekspertët e fushave përkatëse.

Raundi i dytë i dialogut Prishtinë-Beograd u zhvillua në 28 mars në Bruksel duke u përqëndruar në rregjistrin civil dhe të dhënat kadastrale. Në një deklaratë më pas BE tha se palët vendosën që të krijojnë një grup pune të kryesuar nga EULEX për të trajtuar çështjet praktike të përfshira në krijimin e të dhënave në rregjistrin civil.

Media njoftoi se shefja e politikës së jashtme të BE-së Kethrinë Eshton ndoqi takimin për pak kohë, duke inkurajuar të dyja palët për të gjetur zgjidhje praktike ndaj të gjitha çështjeve. Kreu i ekipit të Prishtinës Edita Tahiri tha se pala e saj po këmbëngul në marrjen e dokumentacionit origjinal kadastror, por mund të pranojë një kopje të rregjistrit civil.

Kreu i ekipit të Beogradit Borisllav Stefanoviç tha se ka patur përparim rreth librave dhe rregjistrave kadastralë, si dhe lidhur me furnizimin me energji.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›