Bruksel, sot, takimi i radhës Thaçi-Daçiç
Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.
Palët pritet të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, e arritur më 19 prill.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, është shprehur optimiste se kryeministrat do të bëjnë hapa para në dialog dhe në zbatim të marrëveshjes.
Kryeministri i Kosovës Thaçi është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes për telekomin dhe energjinë. Shefi i ekzekutivit të Kosovës ka deklaruar se takimi i nivelit të lartë politik ka qenë i nevojshëm, në mënyrë që të merren vendime përfundimtare.
Kryeministri Thaçi ka shtuar se tani janë në fazën intensive të implementimit të marrëveshjeve të caktuara, që kanë arritur në përputhshmëri me marrëveshjen e 19 prillit të këtij viti.
Sipas tij, gjithçka do të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe në interes të vendit.
Si tema që janë planifikuar të diskutohen mes dy delegacioneve tona shtetërore, nën udhëheqjen e baroneshës Ashton, do të jetë çështja e telekomunikacionit dhe energjisë. Shpresojmë në zgjidhjen pragmatike.Ne shkojmë me qëllimin më të mirë ka theksuar Thaçi.
Ndërsa Kryeministri i Serbisë, Daçiç është shprehur se njëra nga temat e takimit në Bruksel do të jetë ligji mbi amnistinë, si parakusht për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së Brukselit dhe si kusht që serbët të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjes.
“Kjo situatë mund të shkaktojë probleme në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, sepse shumë pika vijojnë pas miratimit të ligjit të amnistisë, ka thënë Dacic.
Ndërkohë, pas takimit në Bruksel Baronesha Ashton do të vizitojë të martën Beogradin, ndërsa të mërkurën Prishtinën.