Bruksel, sot vendimi për Kosovën e Serbinë
Prishtina dhe Beogradi kanë sot me sytë nga Brukseli ndërsa mblidhet këshilli i BE për ti dhënë Kosovës ditën jeshile për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. Liderët evropian pritet po ashtu që të formalizojnë edhe nisjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë.
Ndërsa për Kosovën situata është me positive, për Serbinë duket se Berlini nuk lëshon nga qëndrimi i tij. Edhe kryeministri serb Ivica Daciç ka theksuar se sfida më e madhe do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe kujdesi më i madh do t’i kushtohet çështjes së Kosovës.
Koalicioni qeverisës i unionit kristiandemokrat dhe kristiansocial së bashku me partinë liberale lejojnë fillimin e negociatave me Serbinë, por jo para vitit 2014. Ata thonë se më parë duhen plotësuar kushtet. Qeveria gjermane parimisht është dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe do të japë edhe votën e saj pro këtij procesi. Bundestagu në një seancë plenare të enjten, dha dritën e gjelbër parimisht, por data e këtyre bisedimeve nuk do të jetë para vitit 2014.
Sipas një deklarate të Bundestagut, kur Kosova dhe Serbia të vënë në jetë marrëveshjet për të cilat kanë rënë dakord, atëherë nuk ka asnjë pengesë më për fillimin e negociatave të anëtarësimit.