E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, të hënën takim i ri Thaçi-Daçiç

Nesër në Bruksel mbahet  një takim ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, ku pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ndërmjet dy vendeve, për të cilën u arrit në muajin Prill të këtij viti.

Takimi mbahet në periudhën kur në Prishtinë qeveria e Kosovës po ballafaqohet me vështirësi në miratimin e Projekt-ligjit për amnistinë, i cili buron nga marrëveshja për normalizim.

Nga ana tjetër, duke u shprehur për themelimin e një të ashtuquajturi kuvend të serbëve në pjesën veriore të Kosovës, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka theksuar se ai nuk shkon në favor as të Serbisë e as të popullit serb në Kosovë.

Takimi Thaçi-Daçiç mbahet me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Raportohet se takimi i nesërm ndërmjet dy kryeministrave do të jetë i 13-ti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›