E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Fajin e ka Edi Rama

31-01-2013 / Gazeta 55

Qëndrimi i Bashkimit Evropian tashmë është i paekuivok. Edi Rama është fajtori i vetëm për ngecjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Jo vetëm eurodeputetë, por edhe kryetari i parlamentarëve të OSBE-së, jep alarmin për qëndrimin e një opozite, e cila po rrezikon, jo veç të bllokojë procesin, por edhe të kthehet në një shembull të keq për opozitat e rajonit


Deklarata e Gruevskit: “Opozita në Maqedoni po merr shembull nga Edi Rama, po bojkoton reformat”


Fokus/ Fyle viziton të hënën Tiranën për tre ligjet e statusit kandidat


Brukseli fajëson opozitën shqiptare për bllokim të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin e Europian. Ky është konkluzioni i konferencës të Partive Popullore Europiane për Ballkanin. Më në fund eurodeputetët dhe përfaqësues të organizatave të tjera nuk kanë hezituar të fajësojnë hapur Edi Ramën për bllokimin e procesit të integrimit. “Dua të ndalem tek zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Partia socialiste shqiptare bojkoton rrugëtimin europian të Shqipërisë. Duhet ti themi gjërat hapur. Se nëse partia socialiste nuk do njohë sërish rezultatin e zgjedhjeve të 2013, atëherë ne do kemi një problem me Shqipërinë. Por problemi ynë do të jetë partia që bojkoton zgjedhjet dhe jo qeveria apo shumica e popullit shqiptar. Duhet të jetë e qartë kjo, sepse përndryshe do të krijojmë sërish mosmarrëveshje. Ne duhet të mbrojmë një proces zgjedhor demokratik dhe transparent që Shqipëria ka ndërtuar gjatë këtyre viteve”, u shpreh kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori. Ndërkaq keqardhjes së artikuluar nga komisionari Stefan Fyle i bashkëngjitet edhe ajo e eurodeputetëve: Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm,por avancimi në garën e integrimit është peng i tre ligjeve. Sipas eurodeputetëve, bojkoti i opozitës në çfarëdolloj forme nuk e ndihmon vendin. “Në Shqipëri kam përshtypjen se janë bërë shumë arritje, por  ka mosmarrëveshje midis qeverisë dhe opozitës. Nëse lexoni shtypin e përditshëm, ju do të habiteni, sepse nuk ka politikanë që e trajtojnë njëri tjetrin në këtë mënyrë. Tensioni midis forcave politike reflekton një imazh negativ për Shqipërinë, që vendi nuk e meriton. Më duhet të them, se është bërë shumë progres nga qeveria, por fatkeqësisht opozita ka luajtur një lojë shumë të keqe. Opozita nuk ka mbështetur vullnetin e popullit shqiptar për të marrë sinjalin e duhur nga Brukseli, që shqiptarët janë në rrugë të mbarë. Ajo që mund të bëjmë ne, është që të themi që i duam shqiptarët në Bashkimin Europian. Për të arritur këtë, ka ende disa hapa për të hedhur, por handikapin më të madh e shoh në radhët e opozitës”, nënvizoi eurodeputetja, Doris Pack.  Gjithashtu një ditë më parë Kryetari i Partive Popullore, Joseph Daul vlerësoi reformat e kryera deri tani, por u shpreh keqardhja që marrja e statusit po vonohet për shkak të tri ligjeve të pa miratuara ende. “Është vërtet për të ardhur keq që për shkak të tri problemeve, statusi është bllokuar. Dhe kjo do të jetë një kohë e humbur për Shqipërinë. Siç e thashë edhe në diskutimin tim, ne jemi gati t’u ndihmojmë nëse kemi se me çfarë mund t’u ndihmojmë. Ju e dini se Shqipëria është një dosje e vështirë. Por tani duhet që vetë Shqipëria të marrë përgjegjësi. Ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit, nëse ata nuk duan të vijnë në BE. Por më vonë nuk duhet te ketë ankesa se Shqipëria ishte gati, por... Unë shikoj se Serbia, si dhe të gjitha vendet e tjera janë duke bërë përpjekje të mëdha për integrimin. Për shkak të këtyre tri kushteve, unë shpresoj se politikanët shqiptarë do ta kuptojnë mesazhin dhe do t’i realizojnë me shpejtësi”, theksoi Daul. Duke prezantuar raportet për zgjerimin në mesin e prillit, Komisioni Europian i jep kohë të mjaftueshme vendeve anëtare që të marrin vendime të rëndësishme për zgjerimin në samitin e 27 dhe 28 qershorit, ku mund të përfshihet edhe statusi i vendit kandidat për Shqipërinë nëse plotësohen 3 kushtet.


Fyle viziton të hënën Tiranën për tre ligjet e statusit kandidat


Komisioneri Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat para zgjedhjeve të qershorit. Ai ka vendosur të vijë në Tiranë për t’u takuar me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama, të hënën e ardhshme. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar dje nga e djathta europiane, komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Sipas tij, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.


Gruevski: “Rama, shembull negativ në rajon për bllokimin e integrimit”


Kreu i opozitës shqiptare Edi Rama është bërë shembull negativ për OSBE-në në vendet e rajonit përsa i përket qëndrimit të tij me procesin e integrimit në BE. Ndodh që ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti aktual i VMRO-DPMNE, Antonio Milishoski ka lëshuar akuza të ashpra në adresë të liderit të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski. Miloshoski, Cërvenkovskin e ka krahasuar me liderin e Partisë Socialiste (PS), Edi Rama si bllokues të procesit euro-integrues në Shqipëri. “Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, të cilin përfaqësuesi i OSBE-së këtu e përmendi si një shembull negativ me veprimet e tij në Shqipëri, tanimë nuk është vetëm. Atij i është bashkuar edhe një opozitar nga Maqedonia, i cili nuk po mundet t’i durojë rezultatet demokratike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat vetë i kërkonte. Lideri i LSDM-së dëshiron bojkot, për ta kompensuar mungesën e reformave në partinë e tij”, deklaroi Miloshoski, cituar nga agjencia e lajmeve, INA. Këto komente ai i bëri në konferencën e djeshme në Bruksel me temë: “Ballkani Perëndimor: Ardhmëria në Europë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›