Europa nën morsën e manovrimeve ndërkombëtare
Një ndër meritat kryesore të Forumit Botëror Ekonomik të Davos- it ishte edhe përcaktimi i këtij viti që sapo ka filluar si viti i luftës së valutave. Për një hop analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë shprehur habinë e tyre për këtë fakt sepse do të kërkonin që nga ky Forum të flitej më së shumti për një çështje shumë të rëndësishme siç është ajo e punësimit. Të tjerë kanë shkuar më larg sepse kanë qenë të parët që e kanë përcaktuar luftën e valutave si një element bazë për të luftuar papunësinë sepse pikërisht nga valuta kalojnë pastaj të gjitha sistemet prodhuese dhe si rrjedhojë edhe shtimi ose në të kundërt, zvogëlimi i vendeve të punës. Spikat në këtë panoramë një Vend si Japonia që çdo ditë dhe më shumë po nxjerr në qarkullim monedhën e saj yen nëpërmjet emetimeve të reja. Në të njëjtën kohë kryeministri japonez Shinzo Abe po këmbëngul akoma dhe më tepër në këtë drejtim duke parë se në muajt e fundit eksportet japoneze janë shndërruar si në më kompetitive duke marrë shkas edhe nga zhvlerësimi me 10% me dollarin dhe 14% me monedhën e vendeve të Eurozonës euro. Por ky nuk është një fenomen që po haset vetëm në Japoni por edhe gjetkë. Shtete të fuqishme po hedhin në qarkullim monedhat e tyre me qëllimin e vetëm që të ulet vlera e monedhave vendase duke favorizuar në këtë mënyrë eksportin. Edhe shumë vende të zhvilluara kanë bërë të njëjtën gjë si Japonia madje nuk mungojnë dhe vende si Korea e Jugut, Tailanda, India, Tajvani dhe natyrisht nuk kishte si të mungonte dhe Kina. Vendet e Eurozonës nuk kanë zgjedhur të njëjtën taktikë, ndoshta nisur edhe nga fakti se euro është shfaqur e dobët në këtë zonë. Ndoshta Europës i kanë munguar idetë por nga shumë anë vijnë zëra se Europa ndërkaq i ka patur duart e lidhura. Por ndoshta vetë Europa po e kupton më në fund se nuk ka një fuqi qeverisëse të fortë por veçse qeverisje të mira sovrane aty - këtu. Natyrisht në këtë situatë një rol mund të kryente Banka Qëndrore Europiane por edhe ajo nuk ka mundur të bëjë diçka të tillë ndoshta për hir të statutit të saj plot kufizime. Është orvatur presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi nëpërmjet financimit afatgjatë prej 1000 miliardësh por pa arritur në rezultate konkrete. Por problemet nuk ekzistojnë vetëm në Eurozonë por edhe në një vend si Japonia ku autonomia e Bankës Qëndrore është e pezulluar dhe ndoshta pas disa muajsh do të jetë akoma dhe më e dobët kur në krye të saj do të ndërrohen edhe njerëzit që e udhëheqin. Natyrisht Bankat Qëndrore kanë si detyrë kryesore të tyre edhe mbrojtjen e punësimit por kjo gjë nuk arrihet kurrsesi me rregullat e tanishme që ka në dispozicion Banka Qëndrore Europiane e udhëhequr nga Mario Dragi. Natyrisht faji nuk është i Dragit por i gjithë sistemit të krijuar megjithëse për një moment duket se kjo luftë shëmbëllen me një luftë jo shumë të pastër në të cilën Europa po paguan çmimin më të shtrenjtë. Duke analizuar një vend si Gjermania bie në sy se ekportet gjermane janë rritur vetëm me 2,8% për vitin 2013 ndërsa një vit më parë ishin 4,1%. Diferenca është e madhe po të kujtosh se ekonomia gjermane është ekonomia më e fortë e Eurozonës dhe Bashkimit Europian. Kërkohet një angazhim i fortë nga G20 dhe sidomos nëpërmjet politikës së saj shumëpalëshe. Natyrisht problemet janë të shumta dhe si për t’i shtuar ato ndonjë prej shteteve europiane do të kërkonte një angazhim më të madh të vetë Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga ana e tij nuk ka ndërhyrë kurrë (përjashto vitin 1978) në manipulimet e këmbimit. Nga ana tjetër edhe Europa duhet të jetë më e shpejtë në marrjen e vendimeve të përbashkëta nga të gjitha shtetet sepse në të kundërt do të mbetet e fortë vetëm në letër. Por Europa lëkundet ende nga dyshimet për të ecur ose jo përpara në rrugën e saj. Ekziston një vision i qartë por jo lehtësisht i aplikueshëm. Të gjithë vendet europiane do të dëshironin të kishin një organizëm që të vendoste për fatet e Europës por kur vjen momenti i të vërtetës të gjitha këto vende tërhiqen sepse nuk duan të prekin absolutisht pushtetin e tyre kombëtar. Dashur pa dashur e gjithë kjo e vështirëson situatën europiane, sepse në momentin që një prej vendeve është në krizë, dhe kriza nën efektin domino mund të influencojë edhe tek vendet e tjera, nuk merren vendime të përbashkëta por shpeshherë kërkohen zgjidhje nga qeveritë e vendeve në krizë dhe jo zgjidhje të përbashkëta dhe afatgjata për të cilat do të kishte një nevojë urgjente vetë Europa dhe Bashkimi Europian.