Brukseli, Kosovës: Dialogu i vizave, ndoshta në 12
PRISHTINE- Entuziazmi i krijuar në Kosovë javën e kaluar se tashmë ka filluar në fakt dialogu i vizave me BE-në duket se ka qenë i hershëm, sepse të hënën në Komisionin Evropian është paralajmëruar se ky dialog mund të fillojë në fillim të vitit që vjen e jo para fundit të këtij viti, siç ishte premtuar.
Michele Cercone, zëdhënës i komisioneres së Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstrom, ka thënë të hënën në konferencën për shtyp se Komisioni vazhdon të ketë qëllimin e nisjes së dialogut të vizave me Kosovën, porse hapa drejt nisjes së dialogut mund të ndërmerren në fillim të vitit që vjen.
Ai rikujtoi përgjigjen që para një jave në Bruksel e kishte dhënë vetë komisionerja Malstrom, e cila kishte saktësuar se Komisioni tash është duke bërë vlerësimin e disa kushteve që është dashur të përmbushen nga Kosova dhe se vetëm pas këtij vlerësimi mund të shikohet mundësia e shkuarjes në hapa të mëtejmë. (Koha Ditore)