Brukseli: Shqipëria, progres në të gjithë sektorët e reformave

Së bashku me Kroacinë, Shqipëria është në krye të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, që vlerësohen nga Komisioni Evropian për ritmet e larta të reformave dhe arritjen e shpejtë të standardeve të BE-së. Raporti vjetor i KE-së, versioni i plotë i të cilit, do të publikohet me 5 nëntor, konfirmon progresin në reformat në sistemin e sigurisë, rendit, policisë dhe sundimit të ligjit, ndërkohë që shpresohet një përshpejtim i reformave edhe në drejtësi e në disa aspekte të legjislacionit. Shpresë për aplikimin për marrjen e statusit të kandidatit, në fillim të vitit 2009, së bashku me vendimin për heqjen e regjimit të vizave
Komisioni Evropian (KE) njeh se Shqipëria ka vijuar me progreset në demokraci dhe shtetin ligjor, por kritikohet për pamjaftueshmërinë dialogut mes partive politike. Për funksionet më të rëndësishme të institucioneve, KE kërkon konsolidim të mëtejshëm të tyre.
Vlerësimet e tij, Komisioni Evropian, i bën të ditura në progres-raportin për Shqipërinë, i cili do të publikohet i plotë më 5 nëntor në Bruksel, por një ekstrakt i tij është bërë publik nga agjencia BalkanTimes, me qendër në kryeqytetin belg.
Raporti njeh edhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa inkurajon se, “lufta kundër korrupsionit dhe krijimit të organizuar mbetet një betejë për t’u fituar”, thuhet në këtë progres-raport. Në raport theksohet se ka pasur një progres edhe te pastrimi i parave si dhe lufta kundër trafikut të drogës, edhe pse gjithsesi, theksohet se këto mbeten shqetësime serioze.
Edhe pse raporti vëren se Shqipëria ka një mungesë infrastrukture në sistemin e drejtësisë, vlerëson ekzistencën e një strategjie për reformimin e tij, zbatimi i së cilës theksohet si një domosdoshmëri për sistemin ligjor.
Në konkluzionet përfundimtare, theksohet se Shqipëria ka bërë progres në legjislacion, polici dhe në përmbushjen e standardeve në fushën e sigurisë, si dhe në implementimin e marrëveshjeve “interim” me BE-në, megjithatë, në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, konkludon raporti, vendi ka përparuar në mënyrë të dukshme, edhe pse KE-ja thekson se nevojitet përmirësim në të gjithë sektorët.
Sidoqoftë, Shqipëria është duke marrë pjesë në dialogë për liberalizimin e regjimit të vizave, thuhet në raport, por ende s’janë arritur plotësisht përfundimi i negociatave për këtë qëllim. Tek dokumenti i sipërcituar, rekomandohet që Shqipëria të prodhojë sa më shpejt pasaportat biometrike. Në raport shtohet gjithashtu se lufta kundër korrupsionit mbetet një çështje kyç juridik, ndërsa kërkohet më shumë punë në të gjitha aspektet e kësaj çështjeje, duke përfshirë kryesisht edhe transparencën e partive politike në këtë proces. Raporti shton se “Lufta e korrupsionit në sistemin e gjyqësorit mbetet një nga çështjet kyçe” ku shpresohet një përparim i shpejtë. Komisioni Evropian pranon se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres për të çuar përpara demokratizimin dhe shtetin e së drejtës, edhe pse shpresohet në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së dialogut mes partive politike.
Konfirmimi i progresit në të gjithë sektorët ku po testohen reformat e vendit parthonë aplikimin në fillim të vitit 2009 të vendit, për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, aplikim që do të koincidojë me përfundimin e procesit të ratifikimit të MSA-së nga të 27 vendet anëtare, por edhe me marrjen e vendimit historik për liberalizimin e plotë të vizave për në vendet e unionit, duke i dhënë fund një trashëgime izolacioniste të 8 viteve të qeverimit social-komunist.
...