Zogaj dhe Xhaferri: Bashkimi me PDR-në, ilustron politikën e hapjes që PD-ja ka nisur që në vitin 2000
Kryetari i Komisionit të Jashtëm, deputeti Preç Zogaj, deklaron duke iu referuar afrimeve të ish të larguarve nga Partia Demokratike, si një proces normal dhe vijim i asaj që është ndërprerë në mënyrë fraksioniste vite më parë. Zogaj vë në dukje se, shkrirja e PDR-së nuk do të thotë udhëheqje në PD, gara është e hapur, do të votohen, nuk do tu falen poste. Ndërsa deputeti Ferdidand Xhaferri, tha se bashkimi PD-PDR, do ti shërbejë suksesit në zgjedhje.
Partia Demokratike i vlerëson si pozitive, zhvillimet e fundit që kanë prekur kampin e djathtë, me pranimin në strukturat e PD-së, përfaqësuesit e Partisë Demokrate të Re, duke realizuar kështu një shkrirje të kësaj të fundit me partinë në pushtet.
Preç Zogaj
Deputeti demokrat, Preç Zogaj, në një prononcim për “55”-ën, u shpreh në mbështetje të përfaqësimit të të gjitha partive të tjera të djathta në koalicionin me Partinë Demokratike, parti brenda dhe jashtë parlamentit, e njëherazi duke i kërkuar liderit të PD-së, kryeministrit Sali Berisha që të përfshijë votat e djathta, të përkthyera në parti, të cilat mund të mos pranojnë koalicion parazgjedhor me PD.
“PD bashkë me koalicionin e përbërë duhet të përqendrojnë vëmendjen edhe për partitë që nuk duan të hyjnë në koalicion por që janë pjesë e së djathtës. Sistemi elektoral është i tillë ku na duhet të mos humbim asnjë votë, madje është pozitive për ne që të ketë edhe parti aleate që fitojnë vet me siglën e tyre deputetë. Nuk kamë parasysh parti konkrete, por e kam në princip. Sistemi proporcional rajonal që tashmë kemi ku çdo parti merr disa vota, e mira është që këto vota të mbahen të bashkuara qoftë nëpërmjet formulës së koalicionit të përbërë, por edhe pas zgjedhjeve nëpërmjet dialogut me disa parti që mund të fitojnë edhe vet”, tha Zogaj.
Lidhur me shkrirjen e PDR-së me PD-në, Zogaj nënvizoi se “është një proces i paralajmëruar dhe që u realizua. Si i tillë pra është një akt i pritshëm, arsyet e ndarjes kanë rënë, madje në vlerësimin tim nuk kanë qënë ndonjëherë aq të mëdha sa të përligjnin gjithë atë luftë që është konsumuar midis PDR-së dhe PD-së. Bashkëqeverisja i sheshoi edhe më tej këto nuanca politike dhe është normale, është hera e parë që në Shqipëri shkrirja e dy partive që kanë qenë një parti dikur. Ky është procesi i bashkimit të
pjesëve të PD-së që përgjatë viteve janë shkëputur, kjo parti ka përjetuar një proces ndarjeje dhe tani është në një proces bashkimi. Ilustron politikën e hapjes që ka nisur që në 2000 në PD”, theksoi deputeti Zogaj.
Përsa i përket përfshirjes së strukturave të ish PDR-së që do të hyjnë në PD, Zogaj tha se tashmë strukturat e PDR-së që pranojnë shkrirjen në parti, kanë pranuar liderët e partive, por proçesi vazhdon në bazë. Në këtë drejtim, Zogaj shtoi se këta do ti nënshtrohen rregullave të statutit të PD-së tashmë.
“Në PD postet fitohen me garë. Me votim të fshehtë, me gara të hapura, me kandidatë alternativë. Sepse kam vënë re që ka një keqkuptim këtu, në qoftë se u shkri tani PDR-ja, këta do të vijnë të udhëheqin. Domethënë do të konkurrohet. Edhe ne që jemi kthyer më parë jemi votuar në Kongresin e partisë dhe jemi mbuluar me votë që kemi marrë ndonjë përgjegjësi dhe jo se na është falur si një dhuratë”, tha në vijim deputeti demokrat Preç Zogaj.
Ferdinand Xhaferri
Ndërsa deputeti Ferdinand Xhaferri, deputet i dalë me siglën e PDR-së në zgjedhjet e 2005, tha se të dy partitë kanë qenë dhe janë një.
“Pra PD-PDR janë PD, dhe thjesht tani janë mënjanuar diferencat politike dhe retë që kishin përfshirë marrëdhëniet me liderët e PDR dhe PD-së”, u shpreh Xhaferri.
Lidhur me pyetjen, se si ndihej tanimë që gjithë PDR-ja u shkri me PD-në, duke parë se edhe ai ka qenë ndër të parët që i është bashkuar PD-së? Xhaferri i është përgjigjur se “kjo nuk ka të bëjë me mua por me procesin. Ishte një gjë shumë pozitive, bashkimet gjithmonë janë të mira, unë mendojë se PDR-ja ka vlera për ti shërbyer PD-së. Është një nga normalitetet më të mundshme në politikë sepse po të shikojmë PDR-në në të gjithë elementet e saj dhe në biografinë politike të drejtuesve të saj si gjë në program i përket Partisë Demokratike. Pra thjesht tani në mënyrë mekanike u bashkuan, kuptohet për të bërë një forcë më dinamike në zgjedhjet që vijnë në 2009”.
Përsa i përket se, a do të jetë
kaq solide edhe baza e PD-së për ketë bashkim, deputeti Xhaferri vuri në dukje se “nuk është kuptuar një gjë që elitat politike të PDR-së dhe bazës nuk kanë pasur ndonjë
ndryshim sikurse edhe në PD. Pra eksperiencat evropiane njohin edhe raste kur janë bashkuar që kanë diferenca ideologjike, kurse PD-PDR ishte thjesht Partia Demokratike. Thjesht ky veprim mekanik ndodhi, spostoi apo fshiu atë rërë për të qenë përsëri PD, unë e shikoj se do të jetë një forcë dinamike dhe shumë e suksesshme në zgjedhje”, përfundoi deputeti i PD-së.
...