E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Statusi peng i konsensusit politik

27-02-2013 / Gazeta 55

Mblidhet Komiteti i monitorimit të projekteve të IPA-s, Bregu: Opozita bllokon integrimin

Taksapaguesit europian i kanë dhënë këtë vit 85 milion euro Shqipërisë, por zyrtarët e Komisionit Europian nuk janë të kënaqur për të gjitha projektet që financohen nga fondet IPA. Pakënaqësia e tyre është veçanërisht ndaj bashkive, ndër të cilat përmendin Korçën dhe Durrësin. “Ka një numër të madh projektesh që nuk po ecin siç duhet, dhe kam ndjesinë që nuk po bëhen përpjekjet e duhura kryesisht nga bashkitë e mëdha. P.sh projektet për impiantet e trajtimit të ujërave. Është e rëndësishme që qytetarët të kenë sistemin më të mirë në bashkitë e tyre. Kemi investuar rreth 50 milion euro në Durrës, Korçë apo vende të ndryshme. Disa projekte nuk kanë ecur sepse ndoshta bashkitë mund të kenë harruar të paguajnë energjinë. Ndërsa shkolla profesionale që kemi ndërtuar nuk ka sistem ngrohjeje”, vuri në dukje Drejtori i Zyrës për Zgjerimin në Komisionin Europian, Pier Mirel. Ndërsa fokusuar në aktualitetin politik, Drejtori i Zyrës për Zgjerimin në Komisionin Europian theksoi nevojën e konsensusit politik, për miratimin e legjislacionit që do t’i siguronte Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE.
“Partitë politike duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë çdo vështirësi që mendojnë se kanë për të miratuar legjislacionin e nevojshëm për të ecur përpara drejt aderimit. Konsensusi për integrimin evropian të përkthehet në legjislacionin e BE, në mënyrë që vendi të ecë përpara”, u shpreh Mirel, lidhur me një çështje të tillë.
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu theksoi angazhimin e qeverisë për efiçencë në përdorimin e fondeve IPA të cilat do të ishin më të mëdha në rast se opozita do të bënte pjesën e saj duke i krijuar vendit mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat.
“Ajo që i ka munguar sot vendit nuk është vullneti i kësaj qeverie por i opozitës për të vendosur axhendën kombëtare të parën. Nëse merrnim statusin, do kishim më shumë fonde nga IPA. Në këtë periudhë pesë vjeçare pritet që të ketë më shumë projekte në shumë fusha të ndryshme”, vlerësoi Bregu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›