“Pretendimet e Edi Ramës për papunësinë, absurditet që për kufi ka vetëm qiellin”
Punësimi, përurohet sistemi on-line. Kryeministri Sali Berisha premton reforma për vende të reja pune
“Edhe pse krahu i punës është 1 milion e 40 mijë vetë, Rama thotë se ka 1 milion të papunë”
Kush kërkon punë si dhe kush ofron punë, të gjitha të dhënat mund t’i publikojë on-line, falë portalit elektronik të punësimit. Informatizimi i këtij shërbimi, disponibël tashmë, u bë falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me atë suedeze dhe ka kushtuar 500 mijë euro. Portali është i aksesueshëm në internet, nga kompjuteri dhe telefoni celular... www.epunesim.gov.al.
Në të koordinohen të dhënat që vijnë nga qytetarët punëkërkues apo kompani private që ofrojnë punë, në kohë reale,prej 12 zyrave rajonale të punësimit, si dhe 24 të tillave me karakter lokal.
Në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u inaugurua dje përfundimi i informatizimit të sistemit të shërbimeve publike të punësimit ku mori pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë ditë si të shënuar për tregun e punës në Shqipëri, sepse me inaugurimin e sistemit on-line të punësimit, vendoset standardi më i lartë në njërin nga sektorët më nevralgjikë të shoqërisë.
“Që sot çdo qytetar shqiptar, i papunë, i cili kërkon një vend pune, mund të aplikojë në këtë sistem nga celulari apo kompjuteri i tij”, theksoi Kryeministri.
Por, që sot edhe çdo sipërmarrës shqiptar që ka nevojë për punonjës, për teknik, për inxhinier, për specialist, për ekspert mund të paraqesë kërkesën në portalin e punësimit të kësaj Ministrie dhe në kohë reale mund të gjejë kandidatin më të përshtatshëm për vendin bosh të punës.
Referuar deklaratave të Partisë Socialiste për 1 milionë të papunë, Kryeministri deklaroi se, “kur bëhet fjalë për 1 milionë të papunë, në një vend që e ka forcën e punës 1 milionë e 40 mijë vetë, absurditeti ka kufij vetëm qiellin”.
Por kjo nuk e bën më pak të dhimbshëm problemin e çdo të papuni, sipas Kryeministrit. Në qoftë se do të merrnim individin në raport me jetën e tij të përditshme, asgjë më rrënuese nuk do të kishte sesa papunësia. Ndaj dhe ne, me një paketë të dytë të fuqishme masash, synojmë të nxisim punësimin në të gjithë sektorët. Është në meritën më të padiskutueshme të suksesit të reformave ekonomike, të cilat bënë që papunësia në Shqipëri jo vetëm të mos rritet, por të pësojë ulje të ndjeshme, vuri në dukje Kryeministri duke renditur më pas reformat që kanë pasur akses të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit.