Papa Benedikti i XVI në fjalimin e fundit, të enjten jep dorëheqjen nga posti

“Falenderoj zotin për këtë ditë. Të isha Papë ishte një peshë shumë e madhe. Zoti më qëndroi pranë çdo ditë”
Sheshi Shën Pietro ka qenë i tejmbushur. Kanë qenë më shumë se 250 mijë besimtarë ata të cilët kanë marrë pjesë në meshën e fundit të Papa Benediktit të 16-të.
Hyrja e Papës në shesh është pritur me një ovacion nga të pranishmit.
Pasi ka përshëndetur të pranishmit me nisjen e meshës ka rënë qetësia, madje dhe bandierat janë ulur.
“Jam i prekur, shoh që Kisha është gjallë. Ju falenderoj që keni ardhur kaq shumë. Në këtë moment shorti im hapet për të përqafuar të gjithë kishën e shpërndarë në të gjithë botën. Ju falenderoj nga zemra. Jam i prekur dhe mendoj se duhet të themi faleminderit sepse Kisha është gjallë dhe se koha sot është vërtet e bukur”, tha ai.
Por Papa ka kujtuar dhe momentet e vështira, pikërisht ato momente që e shtynë të merrte dhe vendimin e paprecedentë, të tërhiqej nga posti i tij.
“Kanë qenë momente të vështira, dhe Zoti dukej se ishte në gjumë. Vitet e fundit Kisha ka pasur momente të gëzuara por edhe jo të lehta, kur era frynte në krah të kundërt dhe Zoti dukej sikur flinte. E kam ditur gjithnjë që në atë barkë ishte Zoti dhe se barka e kishës nuk është e imja”, u shpreh Papa.
Më pas ai ka falënderuar kardinalë, bashkëpunëtorët dhe shtypin, duke kujtuar se Papa nuk është i vetëm në punën e tij.
“Nuk do të braktis kryqin. Por do të qëndrojë në një mënyrë tjetër para Zotit. Nuk do i rikthehem jetës private. Nuk do të kem nëj jetë me udhëtime, takime, pritje, konferenca etj. Do të qëndroj në shërbimi e lutjes. Lutuni dhe ju për pasardhësin tim dhe më kujtoni para Zotit”, vlerësoi ai.
Në fund të fjalës së tij të pranishmit kanë duartrokitur për një minutë.
Ndërkohë që dhe gjatë fjalës Papa është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet dhe brohoritjet.