Brukseli, axhendë e re për krizën

Bashkimi Europian pritet të nisë një lëvizje të re për krizën politike shqiptare. Burime pranë opozitës, kanë konfirmuar për “Shqip” se së shpejti pritet një iniciative e re për negociata mes Berishës dhe Ramës, gjë që e ka konfirmuar dhe kreu i grupit socialist në Parlamentin Europian, Martin Schulz. Nga Brukseli zyrtarisht mohohen përfshirja në bisedime të reja, por opozita bën të ditur se ato do të ndodhin pas pak kohësh. Në lidhje me mundësinë e lëvizjeve të reja gazeta “Shqip” kontaktoi me zëdhënësen e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, Angela Filote e cila mohoi të ketë ndonjë nismë nga ana e Komisionit për negociata të mëtejshme për krizën politike shqiptare. “Nuk do të ketë asnjë iniciativë që do të ndërmerret nga ana e Komisionit në lidhje me krizën politike në Shqipëri”, deklaroi Filote. Sipas saj, Fule mori pjesë në iniciativën lehtësuese të ndërmarrë nga krerët e dy grupimeve më të mëdha politike të Parlamentit Europian dhe se vetë komisioni nuk ka marrë asnjëherë iniciativa për këtë çështje. Por, dje rinisjen e negociatave e ka bërë të njohur dje kreu i europarlamentarëve të majtë, Martin Schulz, i cili në një konferencë për shtyp të përcjellë nga “Top Channel”, ka pranuar përpjekjet që po zhvillohen aktualisht në Strasburg. “Për Shqipërinë vërejta që në konkluzionet e Këshillit Europian të Ministrave të Jashtëm, gjatë takimit që u mbajt në Luksemburg, u përmend iniciativa e Parlamentit duke iu referuar angazhimit të z. Daul dhe timit. Unë dhe komisioneri Fule e kuptuam këtë si inkurajim për të vijuar dialogun me opozitën dhe qeverinë atje derisa të arrihet një moment i pajtimit të brendshëm në vend. Dhe kjo është ajo që po mundohemi të bëjmë me mjete modeste këtu në Parlamentin Europian dhe shpresojmë t’ia arrijmë”, tha Schulz. Ai ka bërë të ditur se në këtë angazhim që bashkërendon kontributin e tij dhe të kolegut të tij të Partive Popullore, Jozeph Daul, është përfshirë edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, duke bërë të qartë kështu përmasën politike të krizës shqiptare. Vendosja e kontekstit politik europian si pikënisje edhe për trajtimin e rastit shqiptar, duke përmendur takimin e Luksemburgut, përbën një shtysë më shumë, që i jep mesazhe të qarta Tiranës zyrtare. Paralajmërimi i opozitës për rinisje protestash dhe rivendosje të marrëdhënieve të kushtëzuara me Parlamentin, përveçse e riaktualizon krizën me të gjithë tensionin e saj, nga ana tjetër ngre pikëpyetje për aftësinë e Parlamentit Europian për të ndikuar në situatën e vështirë në Shqipëri. Për më shumë që për një vend, i cili aspiron statusin e kandidatit, normalizimi i klimës politike bëhet përgjegjësi edhe e zyrtarëve europianë, kur dihet se në muajin nëntor do të jepet një notë përcaktuese për rrugën e mëtejshme të vendit tonë në procesin e integrimit. Në mbështetje të këtij investimi shumë kompleks, konsiston edhe përpjekja e Parlamentit Europian, i cili, sipas fjalëve të Schulz, është duke vijuar diskutimet. “Për momentin jemi ende duke diskutuar, prandaj preferoj të mos bëj vërejtje për këtë ose atë, sepse siç e dini të gjitha këto negociata janë të ndjeshme dhe duhen respektuar interesat e të gjitha partive respektive, të cilat janë shumë heterogjene. Ndaj ju lutem pranoni përgjigjen time që do ta limitoja në: Po, ne vazhdojmë dhe shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje”, tha ai. Pa dhënë informacione shtesë dhe në vijim të praktikës së deritanishme të ruajtjes së konfidencialitetit të negociatave, kreu i europarlamentarëve të majtë, gjithsesi ka risjellë në vëmendjen e opinionit shqiptar përpjekjen e ndërkombëtarëve për t’i dhënë drejtim krizës së provokuar nga zgjedhjet e 28 qershorit. Teksa dy palët në Tiranë nuk kanë preferuar të bëjnë një qasje të re apo autonome në drejtim të daljes nga kjo situatë, përfaqësuesit e BE-së po mbajnë të hapur kanalin diplomatik, i cili do të duhet të sjellë në një pikë të përbashkët dy opsione, që deri më tani duket se përjashtojnë njëri–tjetrin. Ajo që mbetet tanimë e pakuptueshme është justifikimi përmes procedurës së moshapjes së kutive të votimit, vulosja e të cilave ka mbjellë një krizë politike me kosto shumë herë më të madhe sesa një tolerim ligjor që do të hapte mundësi kompromisi.
Skerdilajd Zaimi, Fatjona Mejdini
#