Ende në tranzicion
Më shumë se dy vjet pas krijimit, QSA-ja nuk ka një status të saj. Ndërkohë, organizimi i strukturave, ka nxjerrë në pah probleme të funksionimit. Drejtori Marashi shprehet se do të ketë sërish ndarje të instituteve që përbëjnë QSA-në dhe bashkime në disa të tjera. Formula e financimit pritet të krijojë një konflikt madhor për këtë strukturë
Qendra e Studimeve Albanologjike, e ngritur me bujë dhe mes debatesh në mars të vitit 2008, në kuadrin e reformimit të kërkimit shkencor, është ende në tranzicion. Kjo qendër nuk ka ende një status që të rregullojë funksionimin. Kanë kaluar muaj nga periudha 2-vjeçare që duhej për organizimin, por gjithçka varet nga koha për miratimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë”. Ndërkohë, ngritja e strukturave konkrete të QSA-së ka nxjerrë në pah probleme të tjera funksionimi. Drejtori Ardian Marashi shprehet se është parë e nevojshme që disa institute të ndahen e të bashkohen të tjera. Duhet të ndahet Instituti i Gjuhësisë nga ai i Letërsisë dhe ky i fundit të bashkohet me Qendrën e Studimeve të Artit, aktualisht e shkrirë me ish-Institutin e Kulturës Popullore. Ndërkohë një kontradiktë parësore ka lindur me statusin e parashikuar që do t’i jepet QSA-së. Sipas Marashit, nëse për QSA-në do të praktikohet e njëjta formulë financimi si ajo e universiteteve, Qendra e Studimeve Albanologjike do të marrë goditje që në fillim të punës, duke mos garantuar atë që u përfol shumë në këtë reformë: pavarësinë e punonjësit shkencor.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga periudha 2-vjeçare e quajtur si periudhë tranzitore për Qendrën Albanologjike, ende nuk ka një status. Sa do të zgjasë kjo periudhë?
Ka kaluar tashmë periudha dyvjeçare që sanksionohet në vendimin e Këshillit të Ministrave si periudha e organizimit, riorganizimit, konsolidimit të strukturave me qëllim që më pas Qendra e Studimeve Albanologjike të kalojë jo më si një institucion i varësisë nga Ministria e Arsimit, por si një institucion me statusin e një qendre universitare, i barabartë me statusin e një universiteti. Ne kemi punuar në konsolidimin dhe ngritjen e strukturave të reja funksionale. Aktualisht është thjesht një moment ligjor që pengon përmbylljen e kësaj faze dhe flitet për amendamente të reja që janë përgatitur për t’u shtuar në ligjin “Për arsimin e lartë” të 2007-s, kur QSA-ja ende nuk ishte krijuar. Detyrimisht ligji duhet të integrojë këtë strukturë të re. Në draft-projektin e ligjit që është diskutuar në Konferencën e Rektorëve janë bërë propozimet e nevojshme për statusin dhe sidomos për strukturat bazë të funksionimit të QSA-së që deri- diku përputhen me strukturat e Universitetit Publik e diku tjetër jo. Pjesa më e madhe e diskutimeve është kryer, momenti i shqyrtimit të këtij ligji është në dyshen Ministri e Arsimit dhe Shkencës-Kryeministri. Projektligji duhet të kalojë në qeveri që të marrë formën e një vendimi dhe pastaj në Parlament për t’u miratuar. Momenti i fundit i mbylljes së kësaj periudhe tranzitore është dorëzimi i statusit.
A është e gatshme Qendra Albanologjike të funksionojë me një status të veçantë?
është e gatshme, veçse procesi i punës ka nxjerrë në pah problematika të reja. Ne kemi diskutuar mbi nevojën për të rirregulluar statusin e instituteve që janë përfshirë në QSA. është parë shumë e arsyeshme që Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë të dalë si një institut më vete, ku Letërsia të bashkohet me Qendrën për Studimin e Artit. Ashtu siç funksionojnë aktualisht nuk është e përshtatshme edhe për vet natyrën e punës dhe angazhimit që kërkojnë dy institutet. Një formë e papërshtatshme është edhe bashkimi që ka ndodhur i Qendrës së Studimit të Artit me ish-Institutin e Kulturës Popullore. Detyrim tjetër që nuk e kemi arritur, por kolegjialisht me të gjitha strukturat tona e kemi miratuar si të mirëqenë, është krijimi i mirëfilltë i bibliotekës së albanologjisë. Aktualisht çdo institut ka trashëguar bibliotekën dhe arkivat veta, arkiva që shkojnë në 20 lloje. Aktualisht ato menaxhohen nga departamentet e caktuara të instituteve të ndryshme, mirëpo kjo mënyrë funksionimi nuk jep rezultat profesional, i cili lidhet ngushtë me natyrën e arkivave dhe bibliotekave si institucion. Ne kemi parashikuar që të ketë një bibliotekë të përgjithshme, e cila do të menaxhohet nga profesionistë të administrimit të bibliotekave dhe arkivave. Do të jetë një strukturë le të themi rivale e Bibliotekës Kombëtare.
Sipas programit kjo duhet të ishte në një hapësirë që do të krijohej nga rikonstruktimi total i godinës së QSA-së, gjë që ende nuk është bërë, sepse nuk ka aq mjete financiare.
Ju folët për një ndarje të dytë institutesh dhe bashkimin e disa të tjerave. Ka qenë një gabim teorik bashkimi i instituteve aktuale?
Kjo është bërë për arsye praktike. Po të marrim si shembull Qendrën e Studimeve të Artit, ajo ka pasur të njëjtin status si Qendra për Enciklopedinë Shqiptare, të cilat kanë qenë drejtpërdrejt në varësi të Akademisë së Shkencave dhe nuk vareshin nga institutet. Kur u krijua Qendra e Studimeve Albanologjike, lindi domosdoshmëria që të zinin vend diku dhe u pa e arsyeshme që të bëheshin pjesë e QSA-së.
Aktualisht ju financoheni nga Ministria e Arsimit. A do ta rregullojë statusi çështjen e financimit?
Statusi nuk përcakton një buxhet të caktuar, por formulën e financimit nga shteti. Nëse do të jetë në nivel ekuivalence me universitetin, atëherë do të ketë të njëjtën formulë financimi. Këtu është kontradikta e parë e madhe që do ta penalizonte QSA-në, sepse qendra nuk krijon të ardhura, aq më tepër përmes regjistrimit të studentëve si universiteti. QSA-ja, megjithëse ka hapur nivelin e dytë dhe të tretë të studimit pasuniversitar, nuk pranon më shumë se 15 studentë në secilën nga pesë degët përkatëse. është e pamundur të krijosh pasuri në këtë mënyrë. Nëse nuk ka një buxhet kompensues nga shteti, do të ndodhemi përballë alternativave jo shumë të këndshme. Ne kemi nevojë për një buxhet të dedikuar për kërkimin shkencor, i cili nuk ekziston mirëfilli në ligjet tona financiare. Ky është kushti parësor nëse duam me të vërtetë që kërkuesi shkencor të ketë statusin e një kërkuesi shkencor europian, të cilët kanë pavarësi institucionale.
ç’do të ndodhë nëse QSA-ja do të ketë të njëjtën formulë financimi si universitetet?
Do ta shohim se ç’do të ndodhë, por do të krijojë një lloj dobësimi të QSA-së. Nëse flasim për konkurrencë akademike që do të sillte zhvillim, është e nevojshme që Qendra e Studimeve Albanologjike të mund të konkurrojë me të gjitha parametrat e saj, jo e privuar nga forca realizuese.
A janë marrë parasysh këto detaje kur u diskutua reforma e kërkimit shkencor?
Jo të gjitha detajet, sepse në momentin që struktura e re fillon të punojë e të funksionojë, ajo të jep çelësat e zgjidhjes, sepse vihesh para problemeve dhe gjen mënyrën më efektive për ta zgjidhur. Në momentin e parë është lënë në vullnetin e Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Nëse titullari i kësaj ministrie do të mbështesë QSA-në, ekziston mundësia, por mund të mbështesë edhe universitetin më fort apo një projekt për ngritjen e konvikteve. Duhet sjellë puna që kjo të mos ndodhë. Gjithçka duhet të ecë në mënyrë të pavarur dhe në ndërveprim.
#