E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dërgoi 800 mijë fishekë mitralozi në Libi, në kulmin e luftës civile

lybia-rebels1Shqipëria ka shkelur embargon e vendosur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke dërguar municion në Libi në kohën e konfliktit civil.

Ky armatim jo vetëm që është përdorur në konfliktin e Libisë, por tani ka nisur të përhapet me shpejtësi në vende të nxehta të rajonit, përfshi Malin, Sirinë dhe Rripin e Gazës.

Fakti se Shqipëria ka shkelur embargon e OKB-së evidentohet nga një raport i përgatitur nga një panel ekspertësh të OKB-së.

Siç raporton Balkan Insight, nga Shqipëria janë dërguar në drejtim të Libisë 800 mijë fishekë mitralozi 12.7 mm, në kulmin e konfliktit civil.

Në shkelje të embargos të armëve, fishekët janë dërguar në shtator të vitit 2011.

Autoritetet shqiptare thonë se armët i janë shitur Emirateve të Bashkuara Arabe, me ndërmjetës, por thonë se nuk e dinë se armët kanë përfunduar në duart e rebelëve në Bengazi.

Megjithatë provat e zbuluara nga paneli i ekspertëve të OKB-së sugjerojnë se Tirana kishte informacion në lidhje me destinacionin final të municioneve, por nuk e ka trazuar shumë këtë çështje.

Raporti prej 94 faqesh ka qarkulluar të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Dërgesa është nisur në tre ditë duke filluar nga 9 shtatori 2011 nga aeroporti Nënë Tereza në Tiranë, përmes një avioni armenian dhe ka shkuar direkt në Bengazi të Libisë, pavarësisht embargos së armëve.

DG Arms Corporation, një ndërmjetës armen armësh, kërkonte të blinte municion, por ndërmarrje e eksportit ushtarak, MEICO, nuk pranoi të bënte kontratë me kompani private, por me një ent shtetëror. Për këtë arsye në mes u fut një filial i kompanisë shtetërore të armëve në Ukrainë.

MEICO e shiti municionin tek kompania ukrainase, që përmes agjentit armen, do e ridërgonte atë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lejet e fluturimit u lëshuan për në aeroportin e Abu Dabit.

Por pasi lejet u lëshuan, fluturimet ndryshuan destinacion dhe ngarkesa u dërgua me tre fluturime direkt në Bengazi.

Autoritetet shqiptare thanë se nuk e dinin se destinacioni i fluturimeve kishte ndryshuar, por ekspertët e OKB thonë se autoritetet shqiptare kishin mjaftueshëm informacion, por nuk reaguan.

Autoritetet shqiptare thanë se modifikimi i trajektores së fluturimit ishte si rezultat i një gabimi njerëzor./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›