Brukseli thërrmon propagandën e Ramës: “Zgjedhjet nuk janë kusht për integrimin”

Ministrja e jashtme e Qipros, vend i cili ka presidencën e BE-së, si dhe Komisioneri Stefan Fyle, në një konferencë për shtyp deklaruan prerë se s’kanë shtuar asnjë kusht për Shqipërinë dhe se vendi ynë do ta marrë statusin sapo parlamenti të miratojë 3 ligjet e mbetura pezull prej bojkotit të opozitës
Përfundimisht zgjedhjet nuk janë një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kjo është bërë shumë e qartë edhe në konferencën e djeshme për shtyp të komisionarit Stefan Fyle dhe ministres së jashtme të Qipros Erato Kozakou Marcoullis. “Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht kjo nuk është një kusht”, deklaroi ministrja e jashtme e Qipros.
Qesh Komisioneri i zgjerimit kur e pyesin nëse zgjedhjet e 23 qershorit janë një kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat apo jo.
Por opozita në Shqipëri është shumë serioze kur artikulon që Bashkimi Europian e kushtëzon marrjen e statusit të vendit kandidat me zgjedhjet e 23 qershorit.
Komisioneri Fyle në përgjigjen e tij nuk denjon të përsërisë për të disatën herë një deklaratë mohuese për këtë fakt. Vetëm kujton me ironi se zyrtarët europianë u përpoqën aq shumë të ishin të qartë në rekomandimet e tyre.
“Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, të cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”, u shpreh Komisioneri Fyle.
Gjithashtu Komisioneri Stefan Fyle u bëri sërish apel politikanëve shqiptarë që të përqendrohen te tre kushtet e mbetura, sepse sipas tij procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet.