E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur do shpëtojmë nga opinionistë që shohin vetëm një ëndërr: “Krizë, krizë, krizë”

19-12-2012 / Nga Idriz Xhomara

Shumë vite më parë në kohën e diktaturës, mbërriti tek unë një revistë mjekësore që një mjek i Burrelit ma kishte dhënë për ta përkthyer.
Në bibliotekën e Burrelit mbërrinte vetëm një revistë me natyrë agronomike, “Kukuruza”. Kështu që kisha dhe padurimin për ta lexuar pavarësisht nga profesioni im.
Aty ishte dhe shkrimi që fliste për ankthet e Luftës së Tretë Botërore, që kuptohet do të ishte bërthamore, dhe llogariteshin pasojat, dëmtim në masë i njerëzimit, rrjedhojat gjenetike, shkatërrim i vlerave kulturore-historike të parikuperueshme, (mbaj mend se aty merrej si shembull ripërtëritja e Drezdenit pas luftës së dytë Botërore se sa i kushtoi Gjermanisë), por që në rastin e luftës që pritej, nuk mund të bëhej fjalë për rikuperim.
Megjithatë pa u zgjatur, për t’u hedhur në “thela”, shkrimi përfundonte afërsisht kështu:
At least we’ll grid of Russia!
Të gjithë e dinë që nocioni krizë ka shoqëruar gjithmonë nocionin zhvillim, siç janë dy polet e një magneti, Nord & Sud.
Dhe sado që ta presësh e ta shkurtosh këtë shufër, prapë dy polet aty do të jenë.
Shpesh me bie ndërmend historia e një shoku tim të fakultetit që kishte njohur vetëm dhjeta. Në provimin e marksizëm leninizmit pyetjes të shkakut të krizave ju përgjigj duke riprodhuar tekstin se është superprodhimi.
Edhe kësaj here nuk ju nda dhjeta, por të gjithëve na kishte thënë se është gabim i tekstit, se nuk është mundur kjo, duke llogaritur situatën e tallonave qe kishim  ..
Ishte koha kur anatemohej kaq shume teoria e Maltusit, për shtimin në progresion gjeometrik të popullsisë, uljes së pjellorisë natyrore të tokës etj. etj.
Popullsia është rritur, (por jo në progresion gjeometrik), pjelloria e tokës është ulur si rezultat i tejpërdorimit, mjedisi është kërcënuar ndjeshëm, por kriza që shpërtheu kohët e fundit nuk ishte tamam për këto arsye.
Le të shohim një aspekt deri diku invers të prodhimit, niveli i konsumit në të gjitha fushat.
Vitet e pas luftës së dytë botërore duke vazhduar me luftën e ftohtë, u shoqëruan me një zhvillim të vrullshëm të industrisë së luftës për të furnizuar njëherësh të dy palët ndërluftuese. Rindërtimi në zonat që sapo kishin kaluar betejat ishte imediat që kërkonte disa plane Marshall. Ndihmat ushqimore dhe ato shëndetësore nuk dinin se ku të shkojnë më parë, duke pastruar dhe depot gjigande të këtyre rezervave të kahershme,  
Ushtria e konsulentëve, duke përfshirë dhe ato të institucioneve financiare botërore, u shtua shumë, duke gllabëruar pa nisur keto ndihma. Me një laptop ne kurriz ato “çuditën botën”.
Kongreset, konferencat dhe simpoziumet për vrimën e ozonit dhe për vrima të tjera duhej të përgatiteshin shumë kohë më parë për të gjetur sallat dhe akomodimin sipas nivelit të pjesëmarrësve.
Shembja e sistemit komunist që kishte ndaluar  besimin fetar, bëri që sallat e kulteve të mos i nxënë pjesëmarrësit që frekuentonin dhe kremtimet edhe në respekt për besime të tjera. Shporta ku futeshin zarfet e indulgjencave ishte plot e përplot. Kishte dhe për klerin por tepronin edhe për të rindërtuar institucionet e kultit e rrënuara në vendet post komuniste ku ato pothuajse ishin të ndaluara .
Funeralet duke përfshirë dhe varrin monumental nuk llogarisnin asnjë kufi shpenzimi.
Avionët nuk kishin vende sidomos në verë dhe për krishtlindje.
Pushimet në vendet e famshme duhej të prenotoheshin 2 vjet më parë. Kuptohet shtrenjtësia sa edhe nje toualet në Singapor rriste koston e apartamentit me jo më shumë se 2 milion $. Dyqanet e modës ishin ne zenit, bizhuteria dhe salltanetet e tjera akoma më shume.
Lulëzoi industria e Jahteve me porosi.
Të përvëluar nga malli për prindërit dhe për të afërmit, emigrantët nuk vononin pa ardhur të paktën një herë në vit, remitancat ishin në ngjitje. Nuk bëhej fjalë për koston e studimeve në Universitetet më  të famshme, Kambridge, Oxford, Yale, etc. Çmimet e librave ngjiten, librat me kujtime ua kaluan shumë atyre të  dashurisë dhe erotike, në sallat e bibliotekave nuk gjendej vend te uleshe.
Pak më vonë ose ngadalë:
Lufta e ftohte sikur u “ngroh”
Interneti dërrmoi shumë nga momentet rutinë të kohës dhe të modës që përmendem më lartë; video-konferencat bënë që shumë veprimtari të nivelit të lartë  dhe më poshtë  të bëhen të panevojshme. Uria në vendet në zhvillim, developing countries, sikur u pakësua.
Rritja e moshës mesatare bëri që gjithnjë e më pak interesa të kishte për ushqime, rroba të modës, pushime të shtrenjta. Njerëzit e të gjithë moshave duke lexuar në gazetat  këshillat e mjekëve, nuk orientohen se çfarë të hanë, me përjashtim të thanave që akoma në Shqipëri nuk jane OMGJ.
Malli për prindërit sikur u ‘ftoh”. “Duke qenë shumë të zënë me punë”, qeveritarë dhe politikane me axhendë të ngjeshur, frekuentimi I ceremonive fetare dhe donacionet, u paksuan.
Etj. Etj.
Në përfundim, kur do të shpëtojmë nga teoritë e panumërta të mendimtarëve, analistëve, profetëve etj, për shmangien nga kriza, recesioni, stanjacioni apo depresioni ose të paktën të thonë se cili nga programet politike të prezantuara për zgjedhjet e ardhshme e garanton këtë?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›