E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bubeqi mban Besën në garë për dyshen e parë

Nga Kavaja, Leonard Dushku

Kavajasit mbyllin llogaritë me lezhjanët dhe ruajnë distancën e pikëve me Kukësin. Tani vëmendja në sfidën me Luftëtarin 


Besa Besëlidhja    1-0

Shënues: Bubeqi 34

Besa: Mançevski, Hoxha, Dragusha, Fejzullahu, Krasniqi, Duka (Ziambo 57), Mihani, Poçi, Rroshi (Çelhaka 75), Hasa (Dhëmbi 57), Bubeqi. Trajner: G.Magani.

Besëlidhja: Xhika, Peqini, Danaj, Stojkoviç, Kepi, Pepa, Trajkoviç, Beqiri (Çutra 58), Kaçi (Malasi 81), Miliç, Dibra (Gjorgjeviç 46). Trajner: R.Kulli.

Gjyqtarë: A.Janku, D.Rexha, E.Doda (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Peqini, Stojkoviç, Krasniqi, Trajkoviç

Një gol i shënuar nga sulmuesi Dorian Bubeqi i ka dhënë fitoren e radhës Besës në ndeshjen me Besëlidhjen rivale. Është një fitore shumë e rëndësishme, sepse edhe dy nga rivalët e Besës, Kukësi dhe Lushnja, kanë bërë të njëjtën gjë, ndërkohë që është hapur edhe gara per vendin e parë pas humbjes së Luftëtarit në Burrel. Kavajasit, përveçse kanë ruajtur hapin me dy nga rivalët, thuajse kanë nxjerrë nga gara lezhjanët, të cilët duket se do të kënaqen me vendin e 5-të.

Besëlidhja e tregon që në fillim se ka ardhur në stadiumin e Kavajës për një rezultat pozitiv, por vendësit nuk mund të gabojnë kurrësesi. Besa është e kujdesshme dhe herë pas here sulmon drejt portës së Xhikës, pasi nuk mund tia lërë rezultatin rastësisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Magani krijon një epërsi të lehtë në lojë dhe krijon disa raste, që nuk arrin ti shfrytëzojë.

Vlen të përmendet një rast i humbur nga Hasa, që merr një top të saktë nga Mihani dhe nuk arrin të shënojë. Goli vendimtar i ndeshjes do të shënohet në minutën e 34-t, kur sulmuesi Bubeqi gjuan drejt portës së Xhikës dhe mbrojtësi Stojkoviç e devijon topin në rrjetë. Kavajasit heqin presionin dhe luajnë më mirë, duke e dominuar edhe pjesën e dytë.

Bubeqi i ka mundësitë për ta dyfishuar rezultatin në minutën e 50-të, kur portieri Dashamir Xhika ka bërë mrekullinë, duke e mbajtur skuadrën e tij në lojë. Trajneri Magani bën dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Ziambon dhe Dhëmbin, dy futbollistë me shumë përvojë, të cilët bëjnë që Besa ta administrojë rezultatin deri në fund.

Besëlidhja ka bërë shumë pak në këtë ndeshje, duke krijuar vetëm një rast të rrezikshëm me anë të Dibrës. Një fitore e merituar e Besës, që kalon kështu një nga rivalët, por nuk ka kohë për festë, pasi të shtunën e pret transferta e vështirë me Luftëtarin.

Trajnerët

Gugash Magani, trajner i Besës: Ishte një ndeshje mjaft e vështirë, që Besa diti ta përballonte me sukses, duke luajtur mjaft mirë, pavarësisht se shënuam vetëm një gol. Krijuam raste të pastra dhe duhej të kishim shënuar më shumë. Rëndësi ka që fituam dhe duhet të përqendrohemi te Luftëtari.

Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: Nuk bëmë atë lojë që prisja dhe nuk jam aspak i kënaqur nga skuadra. Besa është një kundërshtar me provojë, ndër më të fortët në kategorinë e parë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›