Gramozi, më në fund çlirohet edhe para tifozëve të tij
Kolonjarët marrin një tjerër fitore të rëndësishme. Ndaj Vlorës rivale vendos një gol i shënuar me 11-metërsh nga Musabelliu
Gramozi Vlora 1-0
Shënues: Musabelliu 60 (11-metërsh)
Gramozi: Bello, Caka, Peçi, Mydini, Ismolli, Saliko, Çelikja (Shupe 61), Musabelliu (Mete 72), Çela, Perero (Kodra 46), Hysolli.
Trajner: I.Qirjako.
Vlora: Sadikllari, Zeqiri, Hoxha, Kaçani, Zholi, Xhelili, Tairi (B.Dalipaj 46), Prifti, Dalipaj, Veshaj, Cerova. Trajner: G.Mezani.
Gjyqtarë: R.Sadiku, A.Mahmutaj, E.Bodeci (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Caka, Shupe, Musabelliu, Hysolli
Kolonjarët, më në fund kanë gjetur fitoren edhe në fushën e tyre, pas shumë zhgënjimesh radhazi. Ata kanë mundur 1-0 Vlorën dhe, falë 6 pikëve të marra në dy javët e fundit, janë më optimistë për fazën finale të kampionatit. Për këtë ndeshje hyrja ka qenë falas dhe në stadium ishin të pranishëm rreth 2000 tifozë kolonjarë. Gramozi ka luajtur thuajse 90 minuta në gjysmëfushën vlonjate, por kishte probleme në finalizim, ashtu si në çdo ndeshje të këtij kampionati. Vlonjatët u munduan të rrëmbenin pikë në Ersekë dhe rreshtuan me forca të shumta në mbrojtje, por nuk ia arritën qëllimit.
Pjesa e parë është një dialog i gjatë i sulmit vendës me mbrojtjen mike. Në minutën e 5-të, sulmuesi Hysolli hyn në zonë, del përballë portierit vlonjat, por nuk arrin të shënojë edhe pasi e shmang atë. Më pas është Musabelliu që vepron me elegance, por gjuajtja e tij pritet nga Sadikllari. Kolonjarët sulmojnë me të gjitha forcat, madje edhe mbrojtësit dalin përpara.
Pas krosit të Çelës, Peçi godet me kokë dhe grushton portieri mik. Godet edhe Çelikja nga distanca, pa gjetur kuadratin e portës mike. Kolonjarët e kërkojnë golin me ngut dhe mesfushori Çela i afrohet shumë, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Në minutën e 30-të miqtë nga Vlora krijojnë të vetmin rast të rrezikshëm. Dalipaj gjuan me kokë pas krosit të Xhelilit, duke e detyruar portierin Bello të bëjë një pritje të vështirë.
Deri në fund të pjesës së parë kolonjarët kërkojnë të shënojnë dhe Çela, Musabelliu dhe Peçi bëhen protagonistë, por pa rezultat konkret. Pjesa e dytë tregon sërish një Gramoz këmbëngulës, që shpërngulet në gjysmëfushën mike. Rastet janë të njëpasnjëshme dhe duhej të vinte minuta e 60-të për golin e fitores. Çela driblon dy mbrojtës vlonjatë dhe futet në zone, ku Hoxha i ndërhyrë nga prapa dhe kryesori Sadiku akordon 11-metërsh.
Nga pika e bardhë gjuan Musabelliu, topi përplaset në shtyllë dhe përfundon në rrjetë. Pas golit të avantazhit dhe futjes në lojë të kapitenit Shupe, Gramozi luan më mirë dhe krijon raste për shënim. Shupe gjuan nga rreth 30 metra dhe pret Sadikllari në dy kohë te vija fatale. Gjatë minutave të mbetura, sidomos në 10 minutat e fundit, duket sikur kolonjarët nuk duan të shënojnë.
Ata mendojnë më shumë për mbrojtjen dhe ia arrijnë qëllimit në fund, duke iu gëzuar një 3-pikëshi shumë të rëndësishëm. Trajneri i Vlorës, Haxhiaj, e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna, pasi ka qenë i skualifikuar, ndërsa drejtuesit e Gramozit kanë preferuar të qëndrojnë në shkallët e stadiumit, bashkë me tifozët.
Trajnerët
Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: E rëndësishme është fitorja dhe fakti që Gramozi e kaloi ngërçin psikologjik. Shënuam një gol kishim dhe shumë raste të tjera, që nuk ditëm ti shfrytëzonim. Do të kërkoj nga lojtarët të mos vetëkënaqen, sepse kemi të tjera sfida përpara.
Gentian Mezani, zv/trajner i Vlorës: Luajtëm si të barabartë në këtë ndeshje. Kishim ardhur në Ersekë për të marrë pike, që do të na shtonte shpresat për qëndrimin në kategorinë e parë, por humbëm dhe jemi shumë të rrezikuar. Vlora ka luajtur nën mundësitë e saj.
