E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana i zbras kupën Flamurtarit, i jep leksion në Vlorë. Skënderbeu që pritet shfaqet ndaj Kastriotit

Tirana e spanjollit Hulian Rubio shkonte në Vlorë me disa mungesa, por bardheblutë kanë arritur atë që pakkush e mendonte duke e mundur Flamurtarin në shtëpi me rezultatin 0-3. Para disa ditësh javësh Tirana e mundi Flamurtarin 1-0 për kampionat dhe kjo fitore u përkthye si një tolerim, pasi kryeqytetasit do ti hapnin karhun vlonjatëve për Kupë. Por ajo që ka shpalosur sot Tirana në Vlorë ishte një leksion i mirëfilltë dhe me këtë fitore Tirana thuajse është finalistja e parë e edicionit të 60-të të Kupës së Shqipërisë, megjithëse pas dy javësh në kryeqytet do të luhet ndeshja e kthimit. Tirana e gjen golin shumë shpejt, që në minutën e katërt, ku Dushku me kokë finalizon aksionin e bukur të Gilman Likës. Ky gol i jep qetësi Tiranës dhe vë nën presion vendasit. Bardheblutë arrijnë të menaxhojnë golin dhe pjesa e parë mbyllet 0-1. Pjesa e dytë shkon sërish për Tiranën, që me zgjuarsi përballon sulmet e vlonjatëve dhe me anë të kundërsulmit dhe gjuajtjeve nga distanca arrin të shënojë edhe dy gola të tjerë. Në minutën e 69-të Cikalleshi në pozicion diagonal gjuan fort dhe shënon golin e dytë. Në minutën e tretë shtesë Tushe shënon një eurogol dhe gjithçka mbyllet 0-3 për kryeqytetasit. Mbrojtja e Flamurtarit dhe portieri ishin në një ditë të zezë, që padyshim vlonjatët i kanë dhënë lamtumirën kupës që sot.

Skënderbeu në dallim nga ndeshjet e fundit në kampionat në takimin e Kupës me Kastriotin ka bindur jo vetëm me rezultat, por edhe lojë. Skënderbeu ka fituar 3-1 ndeshejn e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe me këtë fitore korçarët e trajnerit Stanislav Levi kanë hedhur një hap të sigurtë për në finalen. Që në fillim të ndeshjes u dhanë shkëndijet se kjo sfidë do të karakterizohej nga një lojë e bukur. Skënderbeu me anë të një sulmi model arrin ta gjejë golin që në minutën e 8-të me Sebino Plakun. Por pa u shuar gëzimi i golit të korçarëve Inkango në minutën e 10-të barazon, ku padyshim finalizimi i futbollisti të Kastriotit ishte i bukur. Kampionët korçarë nuk dorëzohen dhe menjëherë hidhen në sulm për të shënuar golin e dytë. Në minutën e 16-të Radas topin e kthyer nga mbrojtja krutane e godet fort nga distanaca dhe 2-1. Në minutat në vazhdim vijon loja e fortë dhe e bukur nga të dy ekipet, por pjesa e parë mbyllet 2-1. Edhe pjesa e dytë shkon në vazhdën e së parës, ku ka lojë të shpejtë me sulme nga të dy kampet. Në minutën e 52-të Bratiç, me kokë,  shënon golin e tretë, gol i cili u jep siguri vendasve. Përpos rezultatit skuadrat nuk dorëzohen dhe kemi një lojë të hapur me raste për të shënuar. Në minutën e 82-të Orelesi ka humbur një rast të pastër shënimi, ku Muzaka nga e majta lëshon një asist në zonë, por Orelesi i vetëm me portierin Halili, nuk shënon, pasi topi përplaset tek portieri.

Kupa e Shqipërisë / gjysmëfinalet,  ndeshjet e para

FLAMURTARI – TIRANA 0-3

Shënues: Dushku 4′, Cikalleshi 69′, Tushe 93′

SKENDERBEU – KASTRIOTI  3-1

Shënues: Plaku 8′ , Radas 16′, Bratiç 52′/ Inkango 10′

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›