Bubullima që paralajmërojnë shtrëngatë në Partinë Socialiste
Dy trakte të njëpasnjëshme të Fatos Nanos - trakte të formatit komunist - zbuluan synimin e tij për t’u rikthyer në politikë si lider i PS-së, me shpresë të një rrotacioni të mundshëm në zgjedhjet e 2013-s, çka do ta katapultonte në fronin kryeministror. Në traktin e parë, Nano është fshehur pas së ashtuquajturës “lëvizja Nano”. Në të dytin, është më i drejtpërdrejtë, madje ka vënë përfund firmën e vet.
Trakti i parë u shfaq papritmas të hënën e shkuar, fill pas seancës plenare të Parlamentit e cila zgjodhi zotin Bujar Nishani në krye të shtetit. Me anë të traktit në fjalë, i ashtuquajturi “kandidat i vetofruar” mëtonte t’u jepte shqiptarëve lajmin ogurzi se, me zgjedhjen e zotit Nishani në krye të shtetit, qenkësh shkelur Kushtetuta. Nano shpresonte ende të përfitonte nga ndonjë parregullsi teknike e shumicës qeverisëse, në ngutje e sipër. Çuditërisht në traktin e së hënës, nuk akuzohej Edi Rama, lideri aktual i PS-së, as si shkaktar i humbjes së radhës, as si aleat i mundshëm për të thurur ndonjë intrigë të stilit komunist-antieuropian, në dëm të imazhit të Shqipërisë, si vend pa stabilitet politik. Megjithatë, autori ose autorët e traktit linin të kuptohej se duheshin kapërcyer mosmarrëveshjet dhe sherret e Nanos me Ramën, në mënyrë që zgjedhja e presidentit të paditej ligjërisht e pavlefshme, meqë, sipas tyre, ish-Ministri i Brendshëm, Nishani, nuk kishte dhënë dorëheqjen, përpara se të vinte kandidaturën, siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve vërtetoi të kundërtën. Demokratët nuk kishin lajthitur. Trakti i u zhvleftësua.
I dyti trakt, u shfaq të nesërmen e të parit, ditën e martë, më 12 qershor, në përvjetorin e 21-të të themelimit të Partisë Socialiste (lexo: në përvjetorin e 21-të të ndërrimit të emrit nga Partia e Punës e Shqipërisë, në Partia Socialiste e Shqipërisë). Trakti, edhe ky i formatit komunist-antieuropian, mori jetë pasi u bë publike ndonjë hollësi e bisedave të tryezës së të mbrëmshmes, ku Idrizi pati përmendur Nanon si kandidatin e mundshëm në kushtet e zhvillimeve politike më të fundit, të pranueshëm prej palëve, kurse Rama pati vënë veton. E qartë si drita e diellit: dashur-padashur, nxori krye vesi i njohur komunist i smirës dhe i inatit ndaj tjetrit, të cilin e thërret “shok”, e quan bashkëluftëtar, por përpiqesh t’i bësh gropën.
Trakti i së martës, siç thashë, është më i drejtpërdrejtë: mban firmën e Nanos dhe sulmon rreptas Edi Ramën. Duke iu drejtuar herë “të dashurve miq”, herë “të dashurve socialistë”, nënshkruesi i traktit u kujton atyre rrugën që patën përshkuar “së bashku”, përpara se Rama të uzurponte kreun e Partisë. U kujton, gjithashtu, listën e gjatë të dështimeve dhe të humbjeve të PS-së nën drejtimin e Ramës, të cilin e karakterizon me epitete nga më fyeset: “aventurier”, “humbarak”, “liganak”, etj.
E pritshme: trakti i dytë i Nanos ia zbuloi petët lakrorit. Në Partinë Socialiste po shfaqen bubullimat e para. Së shpejti fillon shtrëngata. Gjithë zhurma për “tryeza”, për “modalitete bisedash”, “për konsensus” lidhur me emrin e presidentit, i cili, për fat të mirë, u përzgjodh nga radhët e shumicës qeverisëse, ishte vetëm gjethe fiku që të mbulohej lakuriqësia e së vërtetës. Tashmë, u bë fare e qartë se, në kampin e opozitës së majtë, qoftë me Ramën në krye, qoftë me Nanon (nëse...), gjithkush mendon si t’i bëjë gropën tjetrit, për të qenë vetë i parë. Askënd nuk po e ha meraku për “popullin opozitar”, të cilin, secili syresh e konsideron si lopë për ta mjelë, domethënë për t’i marrë votën; askush nuk mendon për të ardhmen e vendit. Përndryshe, qoftë në traktet e Nanos, qoftë në deklaratat e Ramäs pas zgjedhjes së presidentit, do të kishte ndonjë alternativë sesi mund të shkohej drejt miratimit të reformave me shumicë të cilësuar, që do t’i hapnin Shqipërisë dyert e BE-së, vjeshtën e ardhshme. Përkundrazi. Në një bisedë televizive lideri i PS-së tha: “Presidenti i ri u zgjodh në rrugë kushtetuese, nuk ndodhi asnjë atentat ndaj Kushtetutës apo grusht shtetit. Por u godit egër hapi europian i Shqipërisë”. E zeza mbi të bardhë: Rama përgënjeshtron traktin e parë të Nanos, pa harruar t’ua lërë në derë dobiçin të tjerëve.
Nuk ia vlen të hysh në analiza të logjikës elementare për të zbërthyer pohimin e Ramës. Edhe kështu, deklarata e tij, kundërthënëse në vetvete, shpreh më shumë sesa pandeh ai. Ia vlen vetëm të shtrojmë pyetjen: nga cili krah u godit rëndë hapi europian i Shqipërisë? Shqiptarët, të majtë a të djathtë qofshin, e kanë të qartë përgjigjen.
Në të dyja tryezat e kërkuara me këmbëngulje prej Ramës, shumica qeverisëse shkoi e përgatitur jo me një, por me dy propozime për kandidatë jashtë profilit politik. Megjithatë, të dyja kandidaturat, të cilat ngërthenin në thelb bazat e konsensusit, nuk u pranuan prej opozitës së majtë me argumente absurde: e para, sepse s’qenkëshin vendosur modalitetet për të përcaktuar procedurën e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm (!); e dyta, sepse kandidati qenkësh i oborrit të Saliut! Do të ishte logjike që, në kushte të tilla, pakica opozitare të kishte një emër alternativ për ta hedhur në garën presidenciale. Megjithatë, ajo jo vetëm që nuk e pati, por, ç’është më e keqja, edhe kur, në tryezën e së dielës në mbrëmje (9 qershor), u propozua Nanoja, personalitet i njohur i së majtës, Rama refuzoi.
Skenarët ogurzinj të Ramës ishin dhe mbeten lehtësisht të lexueshëm. Qëllimi i tyre ishte të shtyhej deri në tejskaj afati i zgjedhjes së Presidentit, që vendi të gjendej përpara faktit të kryer për zgjedhje të parakohshme, pastaj, çfarë sjell minuta, nuk sjell ora!
Tashmë, pas traktit të dytë të Fatos Nanos, socialistët shqiptarë kanë përpara alternativën: ose me dështakun lider aktual, ose me mburravecin lider historik, çka do të ishte e njëjta gjë, përderisa që të dy i ka mëkuar e njëjta mëndeshë, përderisa që të dy i kanë frymëzuar dhe i frymëzojnë pasione të ngjashme. Të parin, pasioni për të frekuentuar plazhet nudo; të dytin, ahengjet dhe buzuqet e Athinës a të Selanikut. Është e drejta e socialistëve të zgjedhin mes të dyve dhe të vendosin si ta shohin më të udhës. Punë për ta. Gjithsesi, partia më e madhe e së majtës shqiptare, është në prag të çarjes përfundimtare, për shkak interesash meskine mes dy liderëve, ani se njëri pandeh t’i ketë mbyllur mirë shtigjet që do ta nxirrni prej mjediseve të selisë rozë, kurse tjetri i njeh mirë ullukët e nëndheshëm, i njeh me hollësi pikat e dobëta të kundërshtarit, sidomos pikat e dobëta të “popullit socialist”.
Në këto kushte, duke qenë secili në grahmat e fundit të karrierës politike, nuk duhet harruar, nga ana tjetër, se i mbyturi, të mbyt.