E Diel, 1 Nëntor 2026

Budina: Bëjmë kurrizin shollë për grekët, që të mbushim xhepat

TIRANE-"Jam ndjerë i fyer. Ne e kemi vetë fajin sepse e kemi bërë kurrizin shollë për grekët, vetëm që të mbushim xhepat. Unë jam që të respektohen shqiptarët në Greqi e grekët në Shqipëri". Kështu u shpreh dje regjisori Edmond Budina pas premierës së filmit "Ballkan Pazar", që ironizon skandalin e eshtrave në Kosinë të Përmetit vite më parë. Teksa foli për filmin dhe ngjarjen që ai trajton, Budina tha se "Ballkan Pazar" nuk është një protestë, por gjithsesi është ndjerë tepër i fyer nga ngjarja. "Më ka ardhur shumë keq nga skandali i Kosinës. Ky film nuk është kundër grekëve, mbase është pro tyre, sepse në fakt ata iu paguajnë pensione shqiptarëve dhe ato para janë para që iu merren taksapaguesve grekë. Le ta shohin të gjithë se ky është një budallallëk", - deklaroi regjisori. Më tej duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Budina tha se nuk kanë të drejtë të protestojnë vetëm politikanët apo gazetarët, ka të drejtë edhe kinemaja ta thotë fjalën e saj në një ngjarje të kësaj natyre. "Kjo ndodh sepse ne rrimë urtë. A keni marrë gjë vesh ju se ka shkollë shqiptare në Greqi? Nuk ka", - u shpreh Budina jo pak nervoz e i indinjuar. Një pazar ballkanik që ngërthen të kaluarën, ngërthen historinë, tokat e shtrirjen e shteteve. Disa, jo pse janë puthadoras apo servilë, por thjeshtë të pangopur nga babëzia janë të gatshëm të shesin edhe kockat e veta a të të parëve thjesht për të marrë ca para më shumë. "Ballkan Pazar" është një film, historia e të cilit zë fill e merr jetë në një ngjarje të vërtetë. Në kohën kur ndodhi, u quajt skandal dhe qe një ndodhi që tërhoqi vëmendjen e opinionit për një kohë të gjatë: skandali i zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit.
Filmi
Teksa foli për filmin, ai tha se nuk ka fare ngjashmëri me "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur". "Nga ngjarja e Kosinës në Përmet është marrë vetëm spuntoja. Ne e ironizojmë atë dhe mendoj se ajo çfarë unë kam bërë, është shumë më tepër se kronikë lajmesh", - tha dje Edmond Budina. Më tej, kineasti u shpreh se ai është xhiruar vetëm për 3 javë e gjysmë dhe se realizimi i tij ka zgjatur shumë sepse buxheti ka qenë i vogël, vetëm 500 mijë euro. Ai falenderoi TVSH-në, Drejtorinë e Kinemasë në Ministrinë italiane të Kulturës dhe Qendrën Kombëtare Kinematogra-fike për ndihmën. Aktorët nga ana e tyre shprehën falenderimet për pjesëmarrjen në film dhe për ndihmën e mikpritjen e banorëve të fshatit Labovë e Kryqit në Gjirokastër. Ndërsa Visar Vishka tha se është i rëndësishëm suksesi i filmit dhe jo arritjet e tij, italiania Veronica Gentili tha se çështja e identitetit të kombeve nuk është një problem vetëm shqiptar por edhe i vendeve të tjera në Europë. Sa i takon skenave erotike, regjisori tha se aktorët kanë pranuar menjëherë. Megjithatë, Budina deklaroi se nuk kanë qenë këto shkaku që ai të marrë për këto role artistë që nuk jetojnë në Tiranë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›