“Bufi politikan i lashtë”, Rama nga “Sy m’sy”: Fitorja nuk diskutohet, pyetja është sa do të fitojmë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të ndjekësve në “Sy m’sy”, ndërsa ndodhej në makinë rrugës për në një takim përmbyllës elektoral. Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Rama u shfaq i bindur për një fitore të thellë dhe u shpreh se tashmë nuk diskutohet më nëse do të fitojë, por sa e madhe do të jetë fitorja.
“Nuk është pyetja nëse do fitojmë, por sa do fitojmë. Padiskutim që do fitojmë. Pyetja është sa do na japë populli fuqinë për të çuar përpara integrimin europian të Shqipërisë,” tha Rama, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes masive në zgjedhje për të forcuar pozitat ndërkombëtare të vendit.
Ai theksoi se çdo rezultat më i mirë se ai aktual do të përkthehej në një mandat më të fortë për të çuar përpara reformat dhe procesin e anëtarësimit në BE.
Në një moment të bashkëbisedimit, Rama ironizoi kreun e opozitës Sali Berisha, të cilin e përshkroi si një “buf politik i lashtë” dhe “një gjetje arkeologjike që endet i pashpresë në teatrot e historisë”.
“Bufi do fitojë? Ai është një politikan i lashtë, një gjetje arkeologjike që endet nëpër Butrint sikur është gjallë. I pashpresë, i dëshpëruar, që nuk shkon në shtëpi për hallin e tij. Ai nuk mund të fitojë,” u shpreh Rama.
/vizionplus.tv