E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bugajski: Rusia dëshiron që Kosova të jetë rast i ngrirë

 

WASHINGTON- Analisti i çështjeve Europiane dhe Ballkanike, Janush Bugajski, vlerësoi se hapja e ambasadave të Kosovës në kryeqytetet perëndimore është një ngjarje shumë e rëndësishme për praninë e saj në skenën ndërkombëtare. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Bugajski tha se Rusia do të dëshironte që Kosova të ishte një rast i ngrirë dhe që Serbia të mos integrohet në Europe, për ta patur atë si pikëmbështetje në rajon. Sipas Bugajski, "Kosova nuk është më në krye të listës së problemeve të Ballkanit, por aktualisht është Bosnja, e cila ka tani disa vështirësi në funksionimin shtetëror dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian".

Ndërkaq së dyti, vijoi Bugajski, "është Maqedonia, e cila po përballet me kundërshtimet e Greqisë lidhur me emrin, temë që po mban pezull anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian".

Kosova ka patur disa zhvillime të rëndësishme, si njohja nga Mali i Zi e Maqedonia, tha Bugajski dhe shtoi se hapi tjetër do të duhet të jetë një veprimtari më aktive ndërkombëtare për të shtuar numrin e vendeve që e njohin pavarësinë, dhe për t'u antarësuar në institucionet ndërkombëtare.

Bugajski theksoi se duhet të parandalohet ndonjë ndarje, për të cilat bëhet presion nga serbët. "Mendoj se është mirë për Kosovën që të jetë jashtë titujve kryesorë të shtypit ndërkombëtar, por nga ana tjetër ajo nuk duhet të bjerë në gjumë (si sleep mode e një kompjuteri), përkundrazi duhet të jetë më aktive. Është shumë e rëndësishme vendosja e misioneve të saj diplomatike në Uashington, Bruksel, Londër, etj. Kosova nuk duhet të jetë një objekt për veprimtaritë ndërkombëtare, por tani duhet të bëhet një subject të vendosë përfaqësitë e saj në vende të ndryshme dhe të cojë më tej përparësitë e veta nëpër kryeqytete dhe institucione të ndryshme", tha Bugajski.
(s.g/ZeriAmerikes/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›