E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Edi Rama një rrezik. Njëlloj si Berisha

Me një gjuhë të ashpër, LSI e krahasoi sot Edi Ramën me figurën e Sali Berishës dhe si një rrezik për të majtën. Sekretari i Përgjithshëm i LSI bëri publike sot mosmarrëveshjet që ka Rama me kreun e nëjsisë bashkiake numër 3, Kokona 

TIRANE-LSI denoncon publikisht abuzimin me detyrën të Kryetarit të Bashkisë të Tiranës ndaj krerëve të njësive bashkiake. Sekretari i Përgjithshëm të Levizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili bëri publike sot në media mosmarrëveshjet që ka Edi Rama me kreun e nëjsisë bashkiake numër 3, Ilir Kokona dhe metodat antikushtetuese që po përdoror për të përulur cdokënd që nuk i bindet. Me një gjuhë të ashpër, LSI e krahasoi sot Ramën me figurën e Berishës në vitet ’97 dhe si rrezik për të majtën.

“Ne denoncojmë prerë, qartë dhe publikisht shpërdorimin dhe abuzimin e pashembullt me pushtetin, të demostruar në mënyrë violente nga kryetari i Bashkisë dhe i PS-së, Edi Rama dhe sulmin e e tij personal ndaj kryetarit të Njësisë Bashkiake nr.3, Ilir Kokona duke ju vërsulur e dhunuar pronën e tij”.

”Edi Rama ka vënë në funksion të hakmarrjes së tij politike pushtetin bashkiak, duke dhunuar e abuzuar me pronën, ligjet dhe jetën e njerëzve vetëm e vetëm se Kryetari i Njësisë 3 si dhe mijëra socialistë të tjerë nuk mendojnë si ai dhe ka bërë zgjedhjen e tij politike dhe prandaj Rama nuk ngurron të sillet me te duke u paraqitur më Berishë se Berisha vetë”, tha mes të tjerash në deklaratë Vasili.

Deklarata e gjatë e LSI me kritika të ashpra ndaj Edi Ramës si Kryetar Bashkie iu adresohet edhe spoteve publicitarë të Bashkisë për Tiranën. “Ashtu si vetë Berisha që prodhon spote me paratë e shqiptarëve për korrupsionin, pasi korrupsioni galopant rrënoi qeverisjen dhe vrau qytetarët në Gerdec, ashtu edhe Rama i Bashkisë po me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi betonizoi dhe asgjesoi gjelberimin në mënyrë të frikshme dhe vrasëse ne Tiranë, nxjerr spote për gjelbërimin imagjinar, duke u sjellë më Berishë se Berisha vetë”.

LSI kapërcen kufijtë e Edi Ramës si Kryetar Bashkie dhe i drejtoi akuzat edhe në postin tjetër të tij, atë të kryetarit të PS-se. Sipas LSI edhe në këtë kuadër, Edi Rama përbën një rrezik shumë të madh për të majtët. “Ky kryetar bashkie dhe kryetar i PS është për sot dhe nesër një rrezik evident dhe i madh për demokracinë, sepse me mentalitetin e tij dhunues të drejtimit dhe sjelljes politike kërcënon, shkatërron pronën dhe individin dhe identifikon pushtetin e zgjedhësve me vetveten duke abuzuar e sjellë me shtetin dhe pushtetin si një Berishë i vërtetë më shumë edhe se Berisha vetë”.
Vasili në emër të LSI-së e akuzoi gjithashtu Ramën edhe për dhunë ndaj medias dhe fjalës së lirë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›