Bujqësia, Rama: Linjë financimi 250 mln euro e BSH, 70% e kolateralit garantohet nga shteti

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Berat, i ka njohur ata me linjën e re të financimit prej 250 milionë euro të Bankës së Shqipërisë, për sipërmarrësit që do duan të investojnë në zonat rurale, qoftë në prodhim, agro-përpunim, grumbullim apo agro-turizëm.
Rama sqaroi se 70% e kolateralit për të gjithë sipërmarrësit që do investojnë në zonat rurale, do të garantohet nga shteti, ndërsa theksoi se norma e interesit do të jetë më pak se 3%.
“Por sot më vjen mirë që kemi një instrument të ri financiar 250 mln euro, linjë financimi inovative e BSH e cila ju mundëson të gjithë sipërmarrësve në fshat apo atyre që duan të nisin një sipërmarrje, qoftë në prodhim, qoftë në agro-përpunim, grumbullim; qoftë në agroturizëm që të marrin kredi me 70% kolateral të garantuar nga shteti dhe me një normë interesi më pak se 3%.
Përmes AZHBD ne shoqërojmë këtë proces, mbështesim këdo që ka nevojë për asistencë.
Kemi nënshkruar një marrëveshje me bankat, dhe bankat kanë nisur fushata informuese, sepse është qeveria që garanton. Referojuni kësaj linje financimi dhe bashkë të ngremë më tutje nivelin e prodhimit, përpunimit, eksporteve”, deklaroi Rama.
Ky i fundit theksoi se objektiv i qeverisë është arritja e 1 miliardë eksporteve nga gjysmë miliardi që është aktualisht.
“Kemi objektiv të shkojmë në 1 miliardë eksporte, kemi kaluar gjysmë miliardi dhe gjysmë miliardi tjetër është shumë ambicioz”, shtoi ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, bujqësia sot shfrytëzon një kapacitet më shumë se dyfishi i tokës, që është baza e patjetërsueshme e saj.
Në Berat janë realizuar 106 investime, ku një peshë të rëndësishme e ka zënë mbështetje nga buxheti i shtetit, ose nga programi i IPARD-it me grante.
“Ne kemi marrë detyrën në një vend ku sipërfaqja e ujitur ishte 120 mijë hektarë, dhe sot është 270 mijë hektarë.
Pikë tjetër e rëndësishme, është zhvillimi i madh që kanë njohur në këtë dekadë, pikat e grumbullimit. Mbi 70 pika grumbullimi janë mbështetur nga programet tona, sikundër janë financuar 16 tregje për produktet bujqësore dhe janë krijuar 400 pika të reja përpunimi.
Në Berat janë realizuar 106 investime, ku një peshë të rëndësishme e ka zënë mbështetje nga buxheti i shtetit, ose nga programi i IPARD-it me grante.
Ne duam të shkojmë në një nivel tjetër, sepse pavarësisht se kemi numra pozitivë shumëfishimesh, qoftë në numër përfituesish, e mbështetje financiare. Është 11-fish numri i përfituesve që janë rreth 67 mijë në raport me 5600 fermerë përfitues që ishte numri që kemi gjetur kur kemi marrë detyrën.
Jemi duke nxitur mbështetje financiare në funksion të bashkimit, të rritjes së ndërveprimit mes fermerëve e pikave të grumbullimit e përpunimit”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/