“Bujqësia e zgjuar”, prodhimi më cilësor dhe më i kërkuar nga tregu

“Bujqësia e zgjuar” ka nisur të japë frytet e veta pas disa vitesh aplikimi në rajonin e Korçës.
Ferdinand Aliu është një fermer i cili kultivon mollën në zonën e Dvoranit në Korçë. Në pemëtoren e tij me sipërfaqe rreth 10 hektarë ai është duke aplikuar teknikat e bujqësisë së zgjuar.
Falë saj ka nisur të marrë një prodhim më cilësor, të cilin thotë se e kërkon më shumë tregu i huaj, por edhe vendasit.
“Kohët e fundit, nëpërmjet një projekti të mbështetur nga organizmat ndërkombëtarë, kemi një pajisje që mat temperaturën, lagështirën, që të mund të ndërhyjmë për mbrojtjen e pemëve frutore. Me këtë teknologji shmangim trajtimet kimike për konsumatorët,” tha fermeri.
Në rajonin e Korçës janë mjaft fermerë potencialë, por edhe fermerë më të vegjël të cilët kanë përqafuar teknologjitë e reja në aspektin e kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, çka ka bërë që të sigurojnë një prodhim më cilësor dhe me më pak mbetje kimike, një prodhim që gjithnjë e më shumë po i afrohet bujqësisë organike, çka është edhe një nga kërkesat e Bashkimit Europian, por edhe të tregut europian.
Gazetare: K. Koçi
/RTSH/