Paraja elektronike, regjistrohen thuajse 7 milionë pagesa me rreth 480 milionë euro transaksione në 6 mujorin e parë

Pagesa përmes parave elektronike ka gjetur një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2023, bënë të ditur SCAN TV.
Në gjysmën e parë të vitin janë regjistruar një numër rekord prej 6,908,509 transaksionesh me një vlerë prej rreth 48.8 miliardë lekësh apo afërisht 480 milionë eurosh.
Viti 2022 ishte mbyllur me një numër prej 10,216,680 transaksionesh me një total prej 45,3 miliardë lekësh apo 450 milionë eurosh.
Niveli më i lartë është shënuar në maj me 1,236,798 transaksione.
Viti 2023 e ka gjetur tregun financiar shqiptar me 9 institucione të parasë elektronike, nga 7 të tilla në fund të vitit 2021.
Rritja e numrit të institucioneve të parasë elektronike ka ardhur edhe si efekt i miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.
Shtimi i institucioneve të parasë elektronike ka sjellë edhe një shtrirje më të gjerë të terminaleve që ato vënë në dispozicion të klientëve të tyre (si atyre fizikë dhe virtualë), konkretisht me një rritje të konsiderueshme prej 123.3% krahasuar me fundin e vitit 2021.
Ekspertët thonë se përdorimi i parasë elektronike sjell lehtësira kryesisht për atë pjesë të popullsisë shqiptare që nuk zotëron një llogari bankare. Avantazhet konsistojnë në rritjen e fleksibilitetit për kryerjen e pagesave, por edhe në një kosto më të ulët për pagesat e kryera, sidomos për pagesat e gjobave, faturave utilitare mujore etj.
Transaksionet elektronike janë një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare. Ndryshimi qëndron te fakti se pagesat nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve si në rastin e sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.
( Sipas SCAN TV )
/ rtsh.al /