Bujtës të largët
Konsuj, historianë, gjeografë, arkeologë, etnografë e udhëtarê francezë të shekullit XIX nëpër udhët shqiptare
Luan Rama

François Pouqueville
Shkrimi i këtij libri nisi krejt rastësisht. Një ditë, një regjisore, një mikesha ime e Kinostudios, me të cilën kisha punuar 25 vjet më parë, më solli një video me një film që kishim realizuar së bashku mbi një bard të këngës epike, që atëherë jetonte në Curraj të Epërm, në një vend tepër të largët, midis maleve të veriut shqiptar. Një fshat i humbur përmes grykësh pa rrugë, ku për të shkuar atje, duhej të udhëtoje katër-pesë orë në këmbë. Nuk di se kush më kishte folur rreth atij bardi 105-vjeçar, i quajtur Mëhill Vukaj, i cili me lahutë në dorë dhe veshur me tirq të bardhë, këndonte akoma këngë të gjata në mijëra vargje, këto monumente të gjalla të traditës epike, i cili zgjohej dhe flinte me këngët e Mujit dhe Halilit dhe ato të Ago Ymerit. Duke riparë filmin në Paris, mu shfaq menjëherë ai udhëtim i lodhshëm dhe i paharruar, ai udhëtim në ato shtigje që kalonin buzë greminash, mes pamjesh përrallore, të papara ndonjëherë në ekranin shqiptar. Nga një lartësi prej 2000 metrash, në Qafë Kolsh, udhëtari mund të shikonte atë gropë gjigante, gati kozmike, ku lumi i Cemit, poshtë, dukej si një vijëz e hollë ngjyrë blu, mes atij gjelbërimi të madh. Aty fillonin Bjeshkët e Nëmura, trojet e atyre këngëve epike të lindura në shekujt XIII-XIV dhe të përcjella brez pas brezi. Më kujtohet se që nga ajo kohë, udhëtimi nëpër malet shqiptare u kthye për mua në një pasion të veçantë. Ngjitja drejt majëmaleve ishte një lloj pikëtakimi me qiellin dhe kishte gjithnjë në vetvete diçka të mistershme, si në malet veriore ashtu dhe ato të jugut shqiptar, apo brigjeve të Jonit, në majat e Çikës apo të Pikëllimit.
Në Paris, kisha pasur mundësinë të lexoja shumë shënime udhëtimi të udhëtarëve dhe konsujve francezë që kishin përshkuar Shqipërinë e shekullit XIX dhe pikërisht në ato shënime, unë rigjeja vendet që kisha shkelur dikur si kineast, shtigje thepisjesh, qafa marramendëse ku ulërinte era, ujëvara dhe pllaja dehëse. Përmes librave, zbulova historinë e vërtetë të atyre maleve, të atyre bujtinave të legjendës që nuk ekzistonin më, por që kishin mbetur si toponime të vjetra. Zbulova copëza jete e historish që kishin ndodhur në malet e vendit tim, në qytete e fshatra, kronika befasuese dhe një epikë që shkëlqente në një varfëri të skajshme, ngjarje të cilat menjëherë mendova ti përcjell në lexues të tjerë. Çishte vallë Shqipëria e shekullit XIX? Çfarë ndodhte në jetën e banorëve të saj. Cilët ishin këta njerëz dhe fqinjët e tyre. Nga vinin dhe çfarë ishte ardhmëria e tyre Cili ishte ky popull i të Bardhëve, siç e quante historiani dhe linguisti Cyprien Robert popullin shqiptar?
Përgjatë një shekulli, nëpër Shqipëri nuk udhëtuan vetëm konsulli François Pouqueville, gjeografi Ami Boué, Cyprien Robert apo konsujt francezë Hyacinthe Hecquard e Auguste Dozon; nuk ishin vetëm gjeologët Virlet, Viquesnel, Coquand apo konsujt e studiuesit e tjerë të njohur si Lejean, De Wiet, Dumont, De Constant, Batiffol, Bérard apo Degrand, por dhe shumë udhëtarë të kombësive të tjera, anglezë e skocezë siç ishin Lord Byron me mikun e tij, Hobhausse, Sir Thomas Hughes apo Sir Henry Holland, austriakë e gjermanë si Hahn apo Bartholdy, italianë, etj., madje gjer te perandori i Meksikës, Ferdinand Maximilian Joseph, i cili do të shkruante për shqiptarët, Durrësin etj. Këta udhëtarë, si kronistë të asaj që kanë parë dhe përjetuar gjatë shekullit XIX, tregojnë për personazhe dhe ngjarje të jetës dhe historisë shqiptare, për ndodhi që kanë ndodhur më parë, histori familjesh, tribush, njerëzish të zakonshëm, por që janë copëza jete që mbushin afreskun plot ngjyra të jetës shqiptare, ashtu siç ishte dhe ajo familje shqiptare në një fshat të Shkodrës që i kërkoi konsullit Degrand të bëhesh nuni i fëmijës së tyre dhe që ai ti priste flokët. Nga kronistë të kësaj kohe ishin dhe Sir Arthur Evans (1877), William Wingfield, (1853), Georgina Mackenzie dhe Paulina Irby, që përshkruan Dalmacinë dhe Shqipërinë në vitet 1861-1864, veçanërisht Prizrenin, Gjakovën Prishtinën, tekste që tashmë na i ka bërë të njohura dhe studiuesi Robert Elsie. Ishin gjithashtu misionarët jezuitë të vitit 1840, apo françeskanë të mëvonshëm që kërkonin të ndihmonin nga afër banorët e atyre maleve që nuk pranonin të tjetërsoheshin. Shumë piktorë të famshëm nga vizatimet dhe tablotë e tyre të jetës dhe botës shqiptare, janë bërë të njohur për kujtimet e tyre gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, apo në pashallëkun e Janinës, siç ishte Charles Cockerelle, që vizitoi Janinën, Durrësin etj., në vitin 1814. Edward Lear, na la tablo të mahnitshme të qyteteve shqiptare, të Shkodrës, Elbasanit, Krujës, Tiranës, Kavajës, Janinës, Gjirokastrës etj., si dhe kujtime mjaft interesante gjatë udhëtimit të tij në vitin 1848, të cilat i shkroi në ditarin e udhëtimit. Ai kujtonte me humor atë skenë interesante në Elbasan kur njerëzit i mblidheshin përreth dhe e merrnin për një lloj magjistari me ato portrete që bënte: Ende nuk kisha filluar mirë të vizatoja, – shkruante ai, – kur ia behu popullata e Elbasanit një nga një e dy nga dy, e shumë shpejt u mblodh një ushtri e tërë me nja tetëdhjetë, apo njëqind syresh, me kureshtjen e etur që u lexohej në sy. Mbarova së vizatuari ca prej ndërtesave kryesore, por kur i panë ato, nga turma shpërtheu njëzëri thirrja e përgjithshme Shejtan! Është pak e çuditshme të shpjegohet, por shumica e sehirxhinjve futën gishtat në gojë dhe filluan të fishkëllejnë si të xhindosur, siç bëjnë çirakët e kasapëve në Angli. Ndoshta ishte një lloj formule kundër magjisë sime, nuk e di, por papritur kuptova absurditetin e qëndrimit tim aty, duke vizatuar i ulur mbi një ledh, ndërkohë që një turmë e tërë më fishkëllente me sa fuqi kishte. Pa marrë parasysh pasojat, shpërtheva në të qeshur me gulçe, impuls që, me sa duket, u pëlqeu edhe gegëve, sepse filluan të gjithë njëzëri të lëshojnë britma kënaqësie, ndërsa ledhet përcillnin jehonën e atij gazi të hareshëm… Në vitin 1848, ishte gjithashtu udhëtari dhe ish konsulli anglez, Sir James Henry Skeene, që udhëtoi nëpër Shqipërinë e Mesme, duke vizituar vende nga Elbasani gjer në Janinë.
Në fakt, udhëtimi i lordit anglez, Byron, në Shqipëri që në vitin 1809 dhe miqësia me Ali Pashën, e veçanërisht libri i tij Pelegrinazhi i Child Harold, lanë mbresa të mëdha në shpirtrat e intelektualëve europianë për ti kthyer sytë nga Greqia e Shqipëria, nga ajo botë që ziente në kërkim të pavarësisë. Dhe këta intelektualë, në atë kohë u quajtën levantinët, pasi ata morën rrugët dhe shkuan në gjurmët e lordit anglez, i cili aq bukur i kishte përshkruar imazhet e maleve shqiptare dhe shpirtin e këtij populli. Në sytë e këtyre udhëtarëve të sprovuar u shfaqën rite, zakone, besëtytni e mitologji, disa prej të cilave vinin madje që larg, nga kohët pagane, për çka do të shkruanin hollësisht Robert, Hecquard apo Dumont. Syri i keq, zanat, kuçedrat, lubitë e dragonjtë, pemët me gurë apo procesionet funebre, ushqimet në varret e të vdekurve, gjithçka ishte një botë sa e vrazhdë aq dhe ekzotike, pasi shumica e këtyre riteve kishte pushuar së ekzistuari në shumë nga popujt e tjerë të të njëjtit qytetërim europian. Për vëllain e vrarë diku, motra kthehej në shpend. Dhe atëherë, na kujton Hecquard, duke e kërkuar çdo mbrëmje mbi çati ajo klithte emrin e tij Mitologji e legjenda. Historiani e gjeografi Victor Bérard, duke vizituar varrezat ortodokse të Elbasanit, shkruante në librin e