E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria e një varësie të shëmtuar

Faqe engjëllore me kaçurrela të bukura këto janë fytyrat e pafajësisë dhe bukurisë.

Por cigaret që ndodhen mes gishtave të tyre apo llullat që u prekin buzët, pamjet e tyre janë shumë të pështira dhe shumë njerëzve u duken vërtet shqetësuese.

Në përpjekje për të luajtur me joshjen dhe vulgaritetin e duhanpirjes, fotografja belge Frieke Janssens krijoi 15 imazhi thellësisht turbulluese të vogëlushëve që tymosin cigare apo llulla në një koleksion të quajtur Bukuria e një varësie të shëmtuar.

Fotografja nuk ka përdorur cigare të vërteta gjatë shkrepjeve. Në vend të tyre ajo u përqendrua tek shkumësat ose shkopinjtë prej djathi, ndërkohë që për tymin përdori qirinj dhe temjan.

Fotot me ngjyra tregojnë fëmijë të moshës 4-9 vjeç, me veshje të rriturish, ndërkohë që kryejnë ritualet e duhanpirësve nxjerrin tymin nga hundët, ndezin një cigare me një tjetër ose krijojnë unaza tymi me gojë.

Rrobat e tyre janë të modës së vjetër që kujton kohën e misionarëve britanikë, mësueset e shkollave viktoriane dhe gangsterët e 1920-s duke treguar kështu edhe vjetërsinë e zakonit.

Jansens u frymëzua për imazhet pasi pa një video të një fëmije indonezian i cili tymoste cigare dhe që pushtoi gjithë faqet e para të botës në vitin 2010. Videoja tregon Aldin 2-vjeçar që pi cigare ndërsa kryen veprimet me duart topolake. Vogëlushi, i cili nisi të pinte cigare kur ishte 18-muajsh, pinte tashmë dy paketa në ditë dhe qëllonte murin me kokë nëse një gjë e tillë nuk i lejohej.

Videoja tregoi diferencën kulturore mes lindjes dhe perëndimit dhe vuri në pyetje nocionin se duhanpirja ishte një aktivitet i të rriturve, shkroi Jansens në faqen e saj të internetit. Duhanpirësit e rritur janë një normë shoqërore, kështu që doja të vija në vëmendje të shikuesve çështjen e duhanpirësve në vetvete. Mendova se të shohësh një fëmijë duke pirë duhan është diçka që ndikon tek shikuesi dhe i detyron ata që të shikojnë më shumë veprimin e tymosjes sesa të bëjnë hamendësime lidhur me personin që e bën atë.

Lidhur me stilin e fotografisë, ajo shpjegoi: Kultura e duhanpirjes ka një ndjenjë kthimi pas. Është si një kthim në kohë, kur pirja e duhanit në avion apo në restorant ishte shumë normale. Ajo shtoi: Është një kyç i aspekteve më pak tërheqëse, në linjën mes bukurisë dhe shëmtisë së duhanpirjes. Ajo donte të tregonte që kjo varësi, shpesh e shëmtuar, mund të jetë kundërta, mund të të duket e sofistikuar dhe elitare.

Fotografitë e pazakonta kanë kapacitetin të flasin qoftë kundër zakonit të pashëndetshëm, ashtu edhe të paralajmërojnë duhanpirësit kundër tymosjes para fëmijëve të tyre.

Një kritik arti belg, i cili është shumë familjar me punën e kësaj fotografeje, shkroi për I love Belgium (E dua Belgjikën): Duke i portretizuar të rriturit si fëmijë, e gjithë vëmendja përqendrohet tek duhanpirja. Kështu që këto portrete ngrenë pyetjen: a është ndalimi i duhanit mënyra e duhur për ti dhënë fund një varësie absurde dhe a po trajtohen duhanpirësit si fëmijë të vegjël, të cilët nuk mund të bëjnë diferencën mes së mirës dhe së keqes?

Jansens, e cila lindi në Bruksel më 1980-n, gjithashtu realizon foto për agjencitë publicitare në vendin e saj.

Përgatiti: Arlinda Gjypi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›