Paralajmërojnë fundin e mbikëqyrjes

Përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtarë Drejtues për Kosovën kanë shprehur të martën gjatë takimit në Vjenë, përkrahjen e tyre të plotë për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.
Pas katër viteve të instalimit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, për t’iu ndihmuar institucioneve të saj në implementimin e Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, autoritetet kosovare konsiderojnë se vendi është i gatshëm t’i japë fund “vëzhgimit” ndërkombëtar.
E, për këtë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë mbështetje nga 25 shtetet anëtare të GDN’së, gjatë takimit në kryeqytetin austriak, ku ka marrë pjesë edhe shefi i ICO’së, Pieter Feith.
Por për këtë akoma nuk ka ndonjë afat përfundimtar.
“ISG’ja do të takohet më vonë gjatë këtij viti dhe, nëse është bërë progres i mjaftueshëm, do ta finalizojë orarin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për mbylljen e ICO’së. ISG’ja përsërit mbështetjen e saj për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (ICR), duke përfshirë këtu autorizimet e tij afirmative dhe korrigjuese. ISG’ja ka miratuar planin e ICO’së për zvogëlim të buxhetit dhe të personelit për vitin 2012, në përputhje me detyrat e mbetura, dhe merr përsipër të ofrojë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare”, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar pas takimit.
E, Feith pas takimit, përmes një videokonference, ka bërë të ditur se GDN’ja si rrjedhojë e arritjeve të deritanishme ka vendosur që të përgatitet për përfundimin e misionit të ICO’së.
“Jemi të kënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës. Si rrjedhojë, do të fillojë përgatitjet për përfundimin e organizuar të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila do të duhej të jetë e mundur deri në fund të vitit 2012”, ka thënë ai.
Ai ndër të tjera është shprehur i kënaqur edhe me punën e kryer edhe nga misioni i tij.
Ndërkohë që arritjet e deritanishme thotë se nuk kanë qenë të lehta.
“Pra, nuk ka qenë e lehtë, siç e shihni, më janë zbardhur ca flokët”, është shprehur ai.
E, Kryeministri Thaçi nuk duroi të ndërhyjë në këtë. “Besoj se e shihni që nuk jeni të vetmit që ju kanë dalë flokët e bardha”.
Sidoqoftë, Feith e ka konsideruar misionin e tij në Kosovë si tejet të suksesshëm, andaj edhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të GDN’së për t’ua lënë institucioneve kosovare implementimin e mëtutjeshëm të Planit të Ahtisaarit.
“Ky hap është më se i rëndësishme për Kosovën, ngase po normalizohet si shtet europian dhe me një perspektivë të sigurt europiane. Pavarësia e plotë e bën të barabartë me shtetet e tjera në rajon”, ka thënë ai.
Edhe Thaçi ka vlerësuar se vendi ka të ardhme europiane.
“E ndaj mendimin me zotin Feith. Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur nënkupton se Kosova si shtet europian do të funksionojë si shtet i pavarur europian me të ardhme të qartë europiane”, ka thënë ai.
Kreu i ekzekutivit, ndër të tjera, ka bërë të ditur se ka paraqitur planin strategjik të Qeverisë së tij për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Thaçi është zotuar se deri në përmbyllje të plotë të mbikëqyrjes së pavarësisë, do të punojë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të cilat mbeten kushtet e BE’së për Kosovën si pretendente për anëtarësim në Unionin Europian.
Feith ndërkaq ka bërë të ditur edhe disa kërkesa të GDN’së për Kosovën.
Ndër to janë theksuar nevoja për fuqizimin e parimeve të Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, siç janë decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, trashëgimia kulturore dhe ballafaqimi me të kaluarën, që janë të domosdoshme për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Ndër të tjera, janë përkrahur edhe nevoja për ndryshimet kushtetuese për përgatitjen e terrenit të bartjes së kompetencave të ICO’së tek institucionet vendore. “ISG’ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, partive politike dhe institucioneve të tjera përkatëse që të punojnë në mënyrë bashkëpunuese dhe konstruktive në përgatitje të miratimit të ndryshimeve të nevojshme në Kuvend, që do të aprovohen nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar”, ka deklaruar Feith.
Duke folur për të arriturat e Qeverisë së Kosovës, Feith ka mirëpritur edhe njohjet e reja për shtetin e Kosovës duke iu bërë thirrje atyre që nuk e kanë njohur që ta bëjnë këtë sa më shpejt. “ISG’ja mirëpret njohjet e fundit të pavarësisë, si dhe i inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk kanë bërë këtë, ta njohin Kosovën dhe ta mbështesin zhvillimin e saj të mëtejshëm”, ka thënë Feith. E, Serbisë i ka kërkuar që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare dhe të përmbahet nga ndërhyrjet në Kosovë. “ISG’ja po ashtu i bën thirrje Serbisë që të sigurojë që zgjedhjet e saj lokale të mos shtrihen në Veri të Kosovës”.
Çështja që ende mbetet e ndjeshme dhe problematike për Kosovën, thuhet të jetë Veriu. Feith nuk ka arritur të japë ndonjë datë konkrete për fundin e misionit të tij në Kosovë, ndërsa ka potencuar se asnjëherë nuk ka premtuar se gjatë misionit të tij do ta implementojë Pakon e Ahtisaarit në tërësi, duke referuar në pjesën veriore të Kosovës, në të cilën Zyra e tij ka dështuar.
“Nuk kam dhënë asnjëherë premtim se do të shtrijë këtë plan edhe në Veri para shkuarjes. Në do të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim së bashku me institucionet e Kosovës, por kjo mund të vazhdohet edhe nga autoritetet vendore”, ka thënë Feith. Ai ka ripërsëritur se zgjidhja e vetme për Veriun mbetet Plani i Ahtisaarit.
Ndryshe, Zyra Civile Ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008’ës, ka mbikëqyrur zbatimin e Pakos së Ahtisaarit.