Bulevardi i Tiranës, më 8 mars, konkursi ndërkombëtar

Basha në takimin e djeshëm
Kryebashkiaku: Brenda këtij muaji hapet sporteli unik për lejet e licencat.
Basha: Lejet e ndërtimit do të merren për 55 ditë.
Bashkia shkurton afatin e përfitimit të një lejeje ndërtimi në Tiranë. Nëse më parë duheshin minimalisht 75 ditë për të përfituar një leje, tashmë të gjitha procedurat do të përfundojnë brenda 55 ditëve. Gjithçka e bëri me dije dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili theksoi se masa të tilla ndërmerren për tu krijuar kushte lehtësuese bizneseve. Basha theksoi gjithashtu se brenda muajit do të krijohet zyra me një ndalesë pranë Bashkisë për dhënien e licencave. Këtë muaj, siç kam premtuar, inaugurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë për të gjitha lejet e licencat. Nëse sot mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë të periudhës së detyrueshme për konsultim, nga ligji i ri i urbanistikës, tha Basha. Këto deklarata, kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri gjatë lançimit të projektit 100 biznese kombëtare, 100 produkte kombëtare, 100 ditë aktivitete për 100-vjetorin e pavarësisë. Javët e biznesit kombëtar është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë më datë 14 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe në Preshevë. Po kështu Basha bëri publik lajmin për grantin e akorduar nga BERZH-i. Sot, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim konfirmoi një grant prej 500 mijë eurosh, kontribut i qeverisë italiane, si një nga partnerët e BERZH-it, për fizibilitetin e stacionit të ri multimodal të pasagjerëve në Tiranë, tha Basha.
Bulevardi i Tiranës
Sipas kryebashkiakut, më datë 8 mars do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës. Në garë do të jenë 7 nga 20 studiot më të mira arkitekturore të botës. Ato do të prezantojnë 7 maketet e tyre për projektin e Bulevardit të ri të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri te Parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, 1/5 të Tiranës, tha Basha. Sipas tij, hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër. Edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara, apo 80 vitet e kaluara. Ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson te energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do ti konsiderojë të gjithë ata partnerë potencialë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetë në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze, tha Basha.
75 ditë u duheshin firmave të ndërtimit të përmbyllnin të gjitha procedurat për të përfituar një leje ndërtimi. Tashmë i gjithë procesi do të përfundojnë brenda 55 ditëve.
Festa e Pavarësisë, 100 aktivitete me biznesin
Një projekt në përvjetorin jubile të pavarësisë. Do të jenë 100 biznese kombëtare, 100 produkte kombëtare, 100 ditë aktivitete të planifikuara për 100-vjetorin e pavarësisë. Javët e biznesit kombëtar është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë më datë 14 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe në Preshevë. Në kuadër të këtij projekti është bërë një axhendë e saktë për mënyrën se si biznesi, në bashkëpunim me institucionet e pushtetit lokal jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha trevat, mund të punojnë bashkë në këtë përvjetor për promovimin e kulturës dhe të gjitha vlerave të popullit Shqiptar. Mënyra më e mirë për të nisur rrugëtimin tonë drejt 100-vjetorit tjetër të kombit shqiptar, në rrethana krejtësisht të tjera, nga 1912-a, është ti përvishemi punës, gjithsecili në fushën e vet, u shpreh dje kryebashkiaku Basha.
ZIRINA LLAMBRO