Bulevardi i ri, Lulzim Basha prezanton projektet finaliste

Dy studiot finaliste “GrimshaW” dhe “DAR” për masterplanin e zgjatimit të Bulevardit “Zogu I” në kryeqytet nga “Stacioni i Trenit” deri te lumi i Tiranës, do të mbrojnë sërish projektet e tyre për parametrat e zhvillimit afatgjatë dhe vizionit për një Tiranë evropiane. Ndërsa në ditët në vijim mes tyre do të përzgjidhet më e mira, duke i hapur kështu rrugë zbatimit të projektit.
“Kjo javë është e rëndësishme për Tiranën, në planifikimin e vizonit të saj afatgjatë. Do të shohim edhe njëherë dy projektet finaliste dhe hartuesit do të na argumentojnë se pse projektet e tyre janë më të mirët dhe si i përgjigjen ato kërkesave që i shtroi Bashkia, parametrave të zhvillimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm, vizionit tonë për një qytet modern evropian, por dhe interesit të dhjetëra mijëra qytetarëve, të cilët kanë patur rastin t’i vizitojnë maketet dhe të njihen me to, por kanë parashtruar dhe sugjerime”- u shpreh kryebashkiaku Basha.
Ai prezantoi edhe njëherë para opinionit publik dy masterplanet e studiove finaliste që u përzgjodhën në muajin mars mes 20 studiove konkurrente.
Duke e konsideruar këtë projekt më madhorin në 80 vitet e fundit dhe më të rëndësishmin për 50 vitet e ardhshme, Basha tha se menjëherë pas përzgjedhjes së fituesit në ditët në vijim, do të nisë zbatimi i zgjatimit të Bulevardit “Zogu I” në kryeqytet nga “Stacioni i Trenit” deri te lumi i Tiranës, një projekt që prek 1/5 e qytetit. “Zgjodhën durimin para ngutjes, zgjodhëm informimin e të gjitha palëve të përfshira, me qëllim më e mira të dilte në pah për kryeqytetin. Prandaj zgjodhëm studiot më të mira të botës, të cilat iu përgjigjën ftesës tonë, duke vërtetuar kështu besimin tek potencialet më të mëdha të qytetit, mobilizuam juritë më prestigjioze dhe bëmë të mundur që gjithçka t’i nënshtrohej syrit, veshit dhe zërit të qytetarëve të Tiranës”.
Muajt pas organizmit të konkursit më 8 maj, Bashkia e Tiranës, i ka shfrytëzuar forcimin e marrëdhënieve me partnerët financiar. Sipas Bashës, dy muajt e fundit kanë shërbyer për të qartësuar çështjet e pronësisë, diskutuar me grupet e interesit për maksimalizimin e efekteve afatgjata të projektit. Bashkia ka diskutuar me biznesin për impaktin që do të ketë ai në hapjen e vendeve të punës, krijimin e një impulsi, të një poli të ri të zhvillimit ekonomik, për Tiranën, Shqipërinë dhe rajonin.
Në 3 ditët e para të kësaj jave në Galerinë e Arteve do të publikohen 2 projektet finaliste dhe përfaqësuesit do te argumentojnë se përse projekti i tyre është më i mirë dhe si i përgjigjet ai parametrave të zhvillimit afatgjatë dhe vizionit për një Tiranë evropiane.