E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritet Apeli i SHBA: Hiqni imunitetin e gjyqtarëve

14-05-2012 / Gazeta 55

++ Ambasadori amerikan, Arvizu: Gjyqtarët të mos jenë mbi ligjin

++ Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj: Debatet politike, efekte negative mbi gjyqësorin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu i ka bërë apel Gjyqtarëve për një sistem gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm dhe se heqja e imunitetit e bën më të suksesshme drejtësinë. I pranishëm në konferencën e Gjykatave të Larta të Evropës Juglindore ambasadori amerikan theksoi rolin e rëndësishëm që ka një gjyqësor i pavarur nga politika për besimin qytetar. Ambasadori Arvizu vuri në dukje se për një drejtësi efektive nevojitet transparencë dhe pavarësi. “Çfarë kuptojmë me drejtësi efektive, drejtësia me barazi përpara ligjit. Drejtësia efektive kërkon që ligji të jetë i drejtë, i shkruar mirë dhe i qartë. Qytetarët duhet të besojnë se sistemi gjyqësor është mënyra më e mirë që qytetarët të zgjidhin problemet e tyre. Pika e parë për drejtësinë efektive është transparenca, e cila është thelbësore për qytetarët. Pika e dytë është pavarësia e gjyqësorit, e cila kërkon integritet personal të gjyqtarëve dhe nevojë për t’i rezistuar tundimit të parasë”- u shpreh ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj: Gjyqësori vuan efektet negative të debateve politike

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj renditi problemet me të cilat përballet sot gjyqësori në Shqipëri. “Gjyqësori shqiptar ende vuan efektet negative të debateve institucionale, sociale dhe politike. Korrupsioni dhe dobësia e institucioneve trajtohen si probleme kryesore që rrjedhin nga sistemi i drejtësisë. Bllokimi i reformave, mungesa e vëmendjes së ndërveprimit me dy pushtetet e tjera kanë krijuar probleme në mbarëvajtjen e punës së përditshme nëpër gjykata. Mungesa e reformave ligjore, buxhetet e pamjaftueshme dhe mungesa e një pavarësie efektive në menaxhimin e tyre krijojnë efekte të drejtpërdrejta në shërbimet ndaj qytetarëve, duke krijuar premisa të mundshme për të cenuar procesin e rregullt ligjor ”- deklaroi kryetarja e Gjykatës së Lartë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›