Bulevardi ndez zilinë e Ramës

Nisja e punimeve për zgjatimin e bulevardit të kryeqytetit ka ngjallur zilinë e Ramës, të cilit i është zbuluar gafil pazotësia e tij për t’u ofruar tiranasve një perspektivë zhvillimi. Modeli i vjetër i zënies së hapësirave publike për ndërtime klienteliste dhe i lënies së qytetarëve pa një mundësi për të investuar po zëvendësohet prej administratës së re me një model zhvillimor i cili garanton vende pune dhe mundësi për biznes. Zilia po i err sytë kryeministrit në ardhje, i cili s’po gjen dot qetësi mes kasandrave që i ofrohen me skenare bllokimi
Artan Shkreli, defteri i zi i gjobave dhe betonizimit të Tiranës
Nisja e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës ka amplifikuar anët e errëta të ish-kryebashkiakut Edi Rama, kryeministër në ardhje. Vështirësia për të dalë në skenë në një sulm ndaj projektit që pritej prej 80 vitesh, ka shtyrë kryeministrin në ardhje Edi Rama të nxjerrë në media një arkitekt personal, Artan Shkrelin të sulmojë ndërtimin e bulevardit të ri që i jep perspektivë hapjes së qytetit në hapësira të reja. Burri i deputetes Ledi Shamku-Shkreli ka deklaruar se edhe ish-kryebashkiaku Edi Rama e kishte pasur në plan zgjerimin e bulevardit por gjë nuk pati kohë në 11 vjet qeverisje ta zbatonte planin e ashtuquajtur francez. Megjithatë nga fjalët e arkitektit të Ramës janë përpjekje kuptim plota të zhvlerësimit mekanik të një projekti historik për kryeqytetin. Me një mençuri strategjike, kryebashkiaku Lulzim Basha i ofron kryeqytetit një korridor zhvillimi e punësimi, një nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimi e argëtimi. Me këtë investim, qyteti del nga këneta e perspektivës bolshevike, ku e mbajti peng prej 11 vitesh, Mr.20 përqindëshi. Pinjollët e ish-bllokut kanë një koncept të mbyllur të zhvillimit të qyteteve. Bulevardi i ri do të nxjerrë nga varfëria këtë pjesë të Tiranës, që ka qenë e margjinalizuar prej një politike blloqesh banimi që e konsideronte qytetin si një fjetinë dhe jo si një mundësi zhvillimi e punësimi, që nxit sipërmarrjen dhe i jep një hapësirë të re të gjelbërimit.
Gjithashtu është e njohur historia e ndërtimeve në Tiranë kur kryebashkiak qëndroi për 11 vite Edi Rama. Një masakër e vërtetë urbane është tabloja që jepet në lagjet e Tiranës, ku ndërtimet pa leje kanë asfiksuar mijëra qytetarë, duke i shndërruar hapësirat publike në një geto të vërtetë. Kjo nuk është bërë në një ditë, por për vite me radhë, sidomos mes viteve 2000 – 2011, koha kur ndërtimet pa leje lulëzuan në çdo hapësirë publike të kryeqytetit. Mes shumë ndërtuesve, një pjesë e mirë janë persona publikë, deputetë aktualë ose të ardhshëm të Partisë Socialiste. Nga Koço Kokëdhima, Sadri Abazi dhe Dash Peza, lista vazhdon me Xhemal Qefalinë, Rakip Sulin apo dhe Ledi Shamku Shkrelin, përmes bashkëshortit të saj, Artan Shkreli i cili ka një studio arkitekturore dhe është i njohur si një nga avokatët më të zellshëm pranë Ramës për betonizimin e Tiranës. Gjatë 11 viteve në krye të Tiranës, Edi Rama ka dhënë rreth 1140 leje për ndërtim pallatesh, ku shumë prej tyre janë projektuar nga zyra e Artan Shkrelit, burri i gruas deputete të Edi Ramës.
Sidoqoftë një gjë është e sigurtë: Edi Rama nxitet nga zilia e projektit më madh infrastrukturor pas 80 vitesh në kryeqytet. Edi Rama do të mbahet mend për fasadat e pallateve të ndërtuara në kohën e monizmit dhe ndërtimin e pallateve në kohën e tij si kryebashkiak i Tiranës. Dhe për asgjë tjetër në kryeqytet. Brenda 18 muajve pritet të përfundojë ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës, që do të jetë kryevepra e kryebashkiakut më vizionar që ka pasur vendi. Lulzim Basha në dy vjet ka mundur të largojë shijen e hidhur të Edi Ramës në mendjet e qytetarëve të Tiranës.