E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, Prokuroria: Hetim drejtuesve vendorë

Prokuroria e Përgjithshme i kërkon prokurorive të rretheve të analizojnë me përparësi të gjitha procedimet penale që kanë regjistruar për veprën penale të Ndërtimit të paligjshëm.

Përmes një qarkore drejtuar të gjitha prokurorive të vendit, Prokuroria e Përgjithshme  kërkon nga prokuroritë e rretheve që të vënë nën hetim drejtuesit e pushtetit vendor që nuk kanë denoncuar këtë fenomen.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar edhe bashkëpunimin e prokurorive të rretheve me Policinë e Shtetit, për të bërë hetime të plota ndaj drejtuesve të inspektoriateve që nuk kanë denoncuar fenomene të tilla.

Ja urdhri i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme

Duke marrë shkas nga gjendja aktuale si dhe një fenomen gjithnjë e në rritje i ndërtimeve të paligjshme që po kryhen pothuajse në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, problem serioz dhe shqetësues i cili prek interesat e shtetasve dhe të shtetit, pavarësisht nenit 5/1 të ligjit Nr.107/2012 Për dhënien e Amnistisë  , (i cili përfshinte dhe paragrafin e parë të nenit 199/a të Kodit Penal); si dhe paragrafit të dytë të nenit 45/1 të ligjit nr.141/2013 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 03/04/2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar  , (i cili lejonte legalizimin e disa ndërtimeve pa leje deri me datë 05.07.2013), konstatohet dhe një mosfunksionim siç duhet i strukturave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkive e Komunave, si dhe i Policëve Bashkiak dhe të Komunave, të cilët kanë detyrimin ligjor parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe kallëzimin e subjekteve që bëjnë ndërtime të tilla.

Ndodhur para një situate të tillë, lind e nevojshme që të gjitha Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, në bashkëpunim dhe me Drejtoritë e Policive nëpër Qarqe apo dhe Komisariatet e Policive përkatëse, të cilët krahas veprave të tjera që kanë në hetim / gjykim, të analizojnë me përparësi edhe procedimet penale që kanë regjistruar për veprën penale të Ndërtimit të paligjshëm, të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, si dhe fazën në të cilën ndodhen aktualisht këto procedime.

Gjithashtu, të evidentohen subjektet që kanë bërë këto kallëzime, pasi nga një studim paraprak, rezulton se shumicat e tyre janë bërë nga ana e qytetarëve, policia e shtetit, apo dhe kryesisht, si dhe në raste të rralla këto kallëzime janë bërë nga strukturat përkatëse që kanë një detyrim të tillë sipas Nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, dhe sipas ligjit organik të tyre  .

Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, të analizojnë këto raste me qëllim parandalimin e këtij fenomeni si dhe në ato raste kur provohet se strukturat përkatëse të Policive Ndërtimore dhe Bashkiake nuk kanë bërë, apo nuk bëjnë kallëzime për këtë vepër penale sipas detyrimeve që janë parashikuar sa më sipër në Kodin e Procedurës Penale, të regjistrojnë kryesisht procedimin penal për personat përgjegjës, por edhe për subjektet që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme.

Kjo qarkore të punohet me të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Drejtuesit e prokurorive, të marrin masat e duhura organizative dhe ligjore, për të kontrolluar prokurorët në hetimin e këtyre çështjeve, si dhe të porosive të kësaj qarkoreje me synim rritjen e efektivitetit, cilësisë dhe shpejtësisë në ndjekjen penale të veprave penale në fushën e ndërtimeve të paligjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›