E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulku: Krizën e sjell pala që nuk di të bëjë atë që duhet

Deputetja e Partisë Demokratike, që në fakt është një nga artistet më të njohura shqiptare, Rajmonda Bulku, rrëfen rrugën e saj nga lëvizja e dhjetorit 1990 dhe deri në ditët që u ul në poltronin e përfaqësueses së popullit. Në një intervistë për "Shqip", në ditët e refleksionit që vjen prej përvjetorit të "Lëvizjes së Dhjetorit", zonja Bulku nuk lë pa u futur edhe në debatin politik të ditës, duke argumentuar arsyet pse opozita duhet të futet në Kuvend. Deputetja më e re e PD-së, në fakt është një politikane e re dhe veprimtare e vjetër e kësaj force politike që me mandatin e parlamentares vetëm sa ka formalizuar një pozicion që filloi para 20 vjetëve në luftë me regjimin komunist...

Keni qenë një nismëtare e dhjetorit 1990 dhe keni preferuar të hyni në politikë në vitet 2000. Cilat ishin arsyet që kryet këtë lëvizje të vonuar?

Në vitet ‘90 nuk mendoja se po të bëje diçka, hyje në politikë. Ishin vite të zjarrta, shumë pjesëmarrëse. Kjo nuk do të thoshte që të gjithë pjesëmarrësit do të kalonin në anë të politikës. Në vitet ‘90 ishte domosdoshmëri të kishte përkrahje, sepse ishte koha e tillë që të tregonte se sa të gatshëm ishim ne, se si ky popull duhej mbështetur për atë përmbysje jetike. Duhej të dëshmonim gatishmëri për këtë pjesëmarrje. Të ishim të gatshëm për të dhënë kontributin tonë. Në atë që ndodhi më vonë, sigurisht që njerëzit më këmbëngulës dhe që donin ta vazhdonin, e vazhduan këtë gjë. Ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, ishte e lumtur që kishte dhënë kontributin e vet, që përqafonte çdo lloj ndryshimi, por që nuk ishte e gatshme për t‘u futur në politikë. Megjithatë, duke qenë mbështetje e njerëzve më luftëtarë, ata u kthyen në jetët e tyre. U nda në këtë mënyrë politika nga ushtrimi i parë i turmës, apo përfaqësimi i parë i popullit. U ndanë gjërat. Dikush do të bënte politikë e dikush do të kthehej në shtëpi të vazhdonte jetën e tij. Them që ishte shumë e rëndësishme kjo mbështetje. Ishte koha që duhej ta tregonim të gjithë ne që gjithkush duhej të jepte kontributin e duhur për kohën. Le të vinim nga Lindja, nga Muri i Berlinit apo BS, duhej të ishim ne, të tregonim që ishim gati, sepse nuk duhej të harronim që kishim vuajtur, që kishim pasur një jetë nën trysninë e një komunizmi që nuk falej. Atë kohë, për të ndjekur politikën, kam qenë një grua shumë e re, me dy fëmijë shumë të vegjël që edhe për të dalë nëpër Tiranë duhej të sakrifikoja. Që ato ditë ndihej hapur se kush ishin njerëzit që luftonin dhe përpiqeshim me shumë forcë e që ishin të devotshëm, që e kishin filluar dhe nuk do ta linin më këtë luftë. Ishin shumë më të përgatitur. Koha e vërtetoi këtë gjë, që ata më vonë krijuan edhe partinë dhe që ishin njerëzit që vijuan politikën. Tashmë dihen emrat dhe kontributi i tyre që do t‘i çonte drejt një qëllimi.

Po pse pikërisht u rikthyet në vitet 2000?

Për të ardhur deri në vitet 2000, nuk mund të thuash se isha jashtë shtetit dhe u ktheva tani. Kjo nuk qëndron. Kam qenë gjithmonë shumë afër. Aq afër, sa edhe pa qenë dukshëm një anëtare dhe veprimtare e PD, njerëzit gjithmonë më drejtoheshin me pyetjen: Ǒbëhet andej nga ju? Kjo për të treguar se unë edhe për ata nuk kam qenë aq larg. Kam qenë afër sepse në Teatër kemi pasur përplasje direkte me qeverinë, sidomos ka qenë një moment që nuk e donin më Teatrin sepse donin ta shembnin. Por ta shembje një teatër me veprimtari 50-vjeçare, thjesht sepse aty do bëheshin disa pallate dhe këta artistë të mos ishin asgjë, mua m‘u duk makabre. Kam reaguar shumë rreptë dhe kam përdorur termin "fashistë". Por duke qenë periudha të tjera, qoftë edhe për këtë thënie, ministri i Kulturës i asaj kohe (Edi Rama, shën. red.) nuk heshti dhe foli shumë shëmtuar jo vetëm për mua, por edhe për disa artistë të tjerë. Kjo gjë nuk ishte as korrekte, por dhe fyese. Megjithatë, kuptoja se duke punuar edhe në teatër nuk ndjeva ndonjë nevojë të ngutshme për t‘u futur në politikë. Sepse isha shumë evidente dhe shumë e pranishme, shumë e ndjeshme ndaj çdo gjëje që nuk më dukej e drejtë, sidomos në fushën e artit. Për të mos thënë që e kam pasur edhe shumë të zhvilluar ndjesinë e mbrojtjes së këtij vendi. E them pa frikë, më shumë se sa disa kolegë, të cilët zgjidhnin heshtjen. U gjendëm në një kaos familjarisht dhe menduam që në këtë pozicion, pa e fshehur, shumë të dashur ndaj krahut të djathtë dhe që kemi kontribuar në mënyrën tonë gjithë kohën, nuk kisha pse të rrija më në këtë pozicion. Ishte një moment që duhej dhe të investoja duke qenë brenda.

Jemi në ditë të evokimit të historisë së viteve ‘90-‘91. Ǒka do të ishte për ju, thelbi i asaj që ka ndodhur në kohën pasuese?

Çdo vit janë përkujtuar dhe përjetuar ato ngjarje. Nuk ka rëndësi nëse një vit është bërë festë më e madhe dhe një vit më pak. Këtë vit është shumë bukur që pas përvjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, do të përkujtohet diçka e tillë. Mua më pëlqen ideja që të bëhet diçka sa më e veçantë, sa më e fuqishme sepse gjithë njerëzit kanë nevojë t‘i kujtojnë fort dhe bukur, të festojnë me këtë përkujtimore. Sepse nuk duhet harruar kurrë ç‘ka qenë përpjekja dhe sa e gjatë ka qenë rruga 20-vjeçare për të mbërritur deri këtu. Jo vetëm për të festuar, kujtuar bukur, por kjo tregon se në momentin që kujton kthehesh në një kohë që ti ke kaluar në jetën tënde dhe në të gjitha mënyrat që mund të kujtosh, thekson me forcë se tek ajo kohë nuk do të shkosh më kurrë, nuk do të kesh ngjashmërinë më të vogël. Të kujtosh se ajo periudhë e tmerrshme ka mbetur atje larg dhe të kujtosh që shkon drejt një mënyre të re të zhvillimit të vendit. Ne nuk dolëm nga një sistem komunist të moderuar siç ishin vende si Çekia, Polonia etj. Ne ishim një vend i vogël, i egër, i shtypur, i dhunuar totalisht. Kjo dhunë nuk është kollaj që për 10 apo 15 vjet ta harrosh dhe të mos ndeshësh vështirësi qoftë edhe në trysninë psikologjike që ka lënë e kaluara. Enveri bëri atë; "njeriun e ri" dhe po e trashëgojmë ne sot. Akoma nuk jemi distancuar, ende nuk kemi ikur nga breza qoftë të largët dhe të afërt të kësaj kaste të egër.

Mendoni se mitingu i 8 dhjetorit është një ndërmarrje e ardhur si reagim kundërveprues ndaj mitingut të opozitës së majtë në datën 20 nëntor?

Me përpjekjet e opozitës të shëmtuara dhe të gjithanshme dhe që nuk po marrin fund, të gjithë ne jemi në një lloj trysnie jo të këndshme, Ata e pësojnë shumë më keq sepse janë të lodhur, të strapacuar dhe që duan të shkojnë në shtëpi, por s‘kanë të drejtë sepse duhet të dalin në shesh. Kjo s‘është korrekte dhe njerëzore, por në një trysni psikologjike e pësojmë edhe ne. Jo vetëm nga mediat që nuk kanë tashmë gjëra të bukura, por greva dhe kampingje e mbledhje njerëzish. Por po të futesh aty ku jam unë, po të flas nga aty ku jam unë (nga Parlamenti), e gjithë kjo shfaqje është e turpshme. Sepse duhet thënë pse mungojnë, pse nuk janë, pse nuk hyjnë në Kuvend për të bërë jetët e tyre që besoj se një pjese të mirë i mungon jashtë mase. Qysh në momentin që ke hyrë në këtë punë, ke përgjegjësi dhe duke qenë aty brenda të gjitha gjërat dhe pakënaqësitë që kanë, absolutisht mund t‘i thoshin shumë mirë në sallën e Parlamentit dhe jo duke mbetur nëpër rrugë. Sepse je në Parlament, ke statusin e parlamentarit, ke mundësi shumë më të madhe. Nuk është njësoj. Megjithatë, kjo ditë është kujtuar gjithmonë. Pjesëmarrësit kanë qenë të ndryshëm. Më duket me shumë vend që për të gjitha arsyet, qoftë edhe për faktin që në këta 20 vjet ne jemi një vend me shumë gjëra të rregulluara dhe nuk jemi si disa vjet më parë, jemi një vend që votuam dhe u përpoqëm që ato zgjedhje të ishin sa më të mirat. Me probleme që mund të ndeshen, por ishin të realizuara shumë bukur dhe më të mirat e bëra deri tani. Kemi filluar punën në Parlament dhe po mundohemi të jemi sa më seriozë. Kaluam edhe buxhetin dhe kjo është e rëndësishme për funksionimin e shtetit. Ne na takon të gëzojmë një ditë, paçka se s‘është përvjetor, por është ajo ditë. Na takon të gëzojmë dhe duke gëzuar të kujtojmë atë kohë, njerëzit që nuk kemi më, dhe nuk kemi pse të mos ta bëjmë këtë festë. Unë uroj që ajo të dalë e bukur siç e dëshirojmë që të gjithë ne që do jemi ty, ta kalojmë gëzuar.

Sot politika është e trazuar sërish. Cili është përjetimi juaj? Cilat janë, sipas jush, aspektet më kritike të kësaj politike që po risjell konfliktin?

Unë do të thosha vetëm një. Ata kanë frikë të hyjnë në Parlament sepse duke qenë jashtë saj, duke bërë zhurmë, nuk e di se nga shpresojnë që të mbështeten në qëllimet e tyre. Mënyra e kësaj zgjedhjeje është e dëmshme dhe e shëmtuar, është si pa kokë. Në një moment kur gjithçka është vendosur saktë, kur është certifikuar gjithçka, nëse do flisnim për çrregullsi, kam frikë se çrregullsitë anojnë në anën e tyre. Sepse në ato momente edhe të keqen edhe krimin i kishin shumë afër dhe nuk e kursyen këtë gjë, për ta bërë me Fierin, ku ndodhi gjëja më e shëmtuar e asaj fushate.

A mendoni se nevojitet pala e tretë në këtë konflikt apo ekzistojnë mundësitë brenda politikës?

Në politikë asnjëherë nuk përjashtohet asnjë mundësi. Të huajt nuk kanë munguar për t‘u treguar rrugën që duhet të ndjekin. Ashtu sikundër Berisha nuk ka munguar çdo herë t‘i ftojë në Parlament dhe të zgjidhen aty të gjitha gjërat që duhet. Por them që shumë më tepër kurajë i duhet asaj pjese të tyre që nuk janë të bindur totalisht për atë që duhet të bëjnë, që janë të dhunuar nga këto presione dhe që nuk kuptojnë se deri ku do durojnë. Nëse ata mendojnë se një ditë duhet të bëhen më të fortë, duhet të vijnë në Parlament. Në fund të fundit, politika ka treguar se momentet e situatave të këqija të një force, brenda për brenda, kapërcehen prej mendjesh të hapura, të cilat kjo forcë politike i ka.

Kjo situatë bllokuese çfarë rrezikon sipas jush?

Në këtë moment që ndodh, nuk duhet harruar kurrë që tashmë jemi një vend në NATO, që po kryejmë procedurat për statusin e kandidatit të BE-së. Jemi një vend që gjenerojmë stabilitet në rajon që përballojmë dukshëm krizën ekonomike, në gjithë këtë ecuri pozitive po hasim punën kundër që bën opozita. Mendoni sa e errët është sjellja e tubimit socialist në Athinë, në samitin e OSBE-së. Duke e ditur se ç‘probleme kanë njerëzit tanë, emigrantët në Greqinë fqinje, ai tubim i vogël socialistësh ishte jo vetëm i shëmtuar, por edhe antikombëtar. Të ngacmosh ata njerëz, të cilët pavarësisht se janë larguar e janë emigrantë, ata janë të dëshiruar të rikthehen në vendin e tyre të ndryshuar. Një fjalë e mirë për Shqipërinë për sport apo kulturë, i bën të lumtur. Si ka mundësi që pikërisht këta njerëz, megjithëse larg, t‘i vesh kundër, në mes të një vendi tjetër të cilin ata e njohin më mirë se kushdo.

Sa e rreshtuar jeni?

Fare. Kam thënë gjëra shumë më të forta kur kam qenë artiste. Ju kam thënë fashistë pikërisht këtyre njerëzve që janë sot dhe ma kanë mbajtur gjatë në mendje. Tani që jam këtu, më duket se edhe fashistë nuk duhet thënë më, sepse fashizmi bëri disa gjëra, disa rrugë. Kjo më duket një frymë anarshiste, që duan vetëm kaos, rrëmujë dhe nuk duan të sistemohet ky vend. Në Partinë Socialiste ka disa njerëz që kanë karrierë politike dhe janë burra të mençur, të zgjuar dhe tashmë të vjetër në karrierën politike dhe i dinë rregullat e sakta të saj. Ata duhet të përpiqen për veten e tyre dhe për të dëshmuar se e duan kauzën e Partisë Socialiste, duke ardhur në Parlament. Vetëm kështu mund ta lënë të vetëm të keqen. Të vijnë në Parlament se paskësaj do të bëhet gjithçka mirë dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe bota, madje përditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›