E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyhet gjykatësja, goditet me grusht prokurori

Fyhet gjykatësja dhe goditet me grusht një prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë të Sarandës. Seanca e radhës për një plagosje të lehtë të ndodhur mes dy grupeve rivale në qytetin e Sarandës në fillim të vitit 2009, ka çuar një "mbivendosje" veprash penale. Mesditën e së premtes, gjyqtarja Ketra Barjami ka mundur vetëm të nisë prezantimin e objektit të gjyqit në seancën e dhjetë, në ngarkim të pesë të pandehurve nga qyteti i Sarandës. Në momentin e dhënies së gjeneraliteteve të njërit nga personave të përfshirë në këtë konflikt, vëllai i njërit prej të pandehurve është ngritur nga fundi i sallës dhe duke ecur në drejtim të tryezës së trupit gjykues, ka derdhur një lumë fjalësh fyese dhe kërcënuese në drejtim të gjyqtares Ketra Barjami. "Ndërkohë që ecte drejt trupit gjykues, Lavdërim Zejnati, ka qëlluar me grusht mbi D. Musain, "rivalin" e të vëllait. Ky ka qenë momenti kur prokurori i çështjes, Ç. Sh., duke mbajtur akoma të veshur veladonin e zi, ka kërkuar ndërhyrjen e policisë. Por në këtë momente, ai është qëlluar me grusht nga Zejnati, i cili është mundur më pas të neutralizohet nga policia", bëjnë të ditur burime nga vendi i ngjarjes. E gjithë skena është regjistruar nga kamerat vëzhguese të instaluara në sallën e gjyqit. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, prokurori i dhunuar ka deklaruar se ka bërë kallëzim për autorin, i cili është shoqëruar edhe nga dëshmia e gjyqtares Ketra Barjami. Burime nga komisariati i policisë bëjnë të ditur se Lavdërim Zejnati është prangosur pak minuta më pas dhe ndërkohë është transportuar për në burgun e sigurisë së lartë në Tepelenë. Pritet që sot të merret masa e sigurisë në Gjykatën e Gjirokastrës. Pas incidentit të para tri ditëve, rishfaqet problemi i pasigurisë që zotëron në gjykata. Në sallat e gjyqit, ku nis mungesa e mbrojtjes për njerëzit që vendosin për drejtësinë, del problemi i sigurisë së gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Vetëm disa muaj më parë, pallati i gjyqtares Ketra Bajrami në Sarandë është tronditur nga shpërthimi i një mase tritoli dhe shteti nuk u shqetësua për atë sinjal të sulmit ndaj saj, derisa "eksplozivi" u bë gati të plaste në sallën e gjyqit ditë më parë. Ndërkohë që prokurori i dhunuar Ç.SH. thotë se shpesh janë gjyqtarët dhe prokurorët ata që e pësojnë nga loja e papastër që bëjnë avokatët e palëve në gjykim.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›