Rama: Protesta jonë ka shumë rrugë. Do t‘i detyrojmë
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, ngre tonet e protestës duke paralajmëruar se qëndrimi i opozitës do të jetë më shumë se kaq. Më fjalimin e tij para vendorëve socialistë, Rama tha se rrugët e protestës janë të shumta e kjo do e detyrojë pushtetin të tërhiqet. "Nuk e imagjinojnë dot se sa shumë rrugë ka protesta jonë e në sa shumë rrugë do u vijmë përballë e do u duhet të na e hapin rrugën! Me ne është e drejta, është detyrimi! Ne jo vetëm nuk e lëmë në mes këtë betejë, por do e çojmë deri në fund, me të gjitha forcat e mjetet", tha ai. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, qetëson vendorët socialistë në të gjithë vendin se nuk do të lejohet asnjë shkurtim në administratë. Në një fjalim prej më shumë se 60 minuta, drejtuesi i protestës së vendorëve socialistë i kërkoi Kryeministrit të tërhiqet nga cenimi i autonomisë vendore, në të kundërt, siç tha ai, do rikthehet në shesh me më shumë njerëz se kurrë më parë. Rama tha se qëllimi i vetëm i Berishës është që të vërë vendorët e opozitës në konflikt me punonjësit dhe qytetarët, ndërsa deri më sot ka shpifur se gjoja do pezullohen shërbimet. Rama u kërkoi forcave të policisë që të mos u binden urdhrave që nuk mbështeten në ligj. Referuar Bashkisë së Tiranës, ashtu si kolegët e tij, ai shprehu shqetësimet e këtij institucioni për shkak të pakësimit të buxhetit. Gjatë këtyre viteve, tha ai, Bashkisë së Tiranës i kanë hequr 4.5 miliardë lekë të reja, ose konkretisht fondet për 1762 ditë pastrimi, ose për 1 milion e 550 mijë metra katrorë rrugë të asfaltuara, ose për 35 shkolla të reja, apo 60 shkolla të rikonstruktuara, ose për 81 kopshte dhe çerdhe të reja, ose për 257 mijë pemë të reja. "Për Bashkinë e Tiranës, në 4 vjet kemi marrë 45% të asaj që merrnim në një vit, para se të vinin këta zotërinj në atë pushtetin që e kishin të paktën me vota, e jo tani që e kanë pa vota", tha ai. Rama vuri në dukje se 0.9 për qind ka marrë këtë vit Tirana nga buxheti, megjithëse ka 20% të popullsisë. "Ministri i xhepave të pushtetit tha se ndarja e parave, në rang vendi është e barabartë, pak më shumë njësitë e PD-së, sesa të PS-së. Si është e vërteta në fakt? Këta numërojnë njësi, jo popullsi dhe nevojë. Ne jemi për autonominë vendore edhe për njësitë socialiste, edhe për njësitë vendore demokratike", shtoi kreu i bashkisë. Ai vuri në dukje se ndërsa vendorët socialistë kanë bërë apel dhe Kryeministri duhej të përgjigjej me dialog, ka ndodhur e kundërta, kryetari i qeverisë kërcënon se do të arrestojë kryetarët e bashkive që do thyejnë ligjin. "Kërcënojnë kryetarët e bashkive që do thyejnë ligjin e madje gjatë gjithë kohës na kanë atribuuar gjëra të pathënë e të pabëra. Gjoja sikur ne do ndërpresim shërbimet", vijoi ai. Por sipas tij, asnjë akuzë dhe shpifje me qindra mijëra metra katrorë ndërtime, me qindra milionë euro përfitime, nuk zbeh dot miliona e miliona kuintalët e plehrave që janë pastruar çdo ditë.