Bullgari, ekspertët krijojnë imazhin e sulmuesit të autobusit
Ekspertët bullgarë konstruktuan përshkrimin e fytyrës së sulmuesit vetvrasës, i cili sulmoi një autobus turistësh ku mbetën të vrarë pesë izrealitë dhe drejtuesi i autobusit.
Incidenti ndodhi në afërsi të bregdetit bullgar dy javë më parë. Koka e sulmuesit ishte gjetur në vendin e ngjarjes.
Ministri i Brendshëm bullgar tha se imazhi kompjuterik tregon një burrë afër të 30-ave me flokë të zeza dhe sy të mbyllur.
Ministri, Tsvetan Tsvetanov, tha se fytyra e sulmuesit ishte rikonstruktuar “falë teknologjisë moderne ofruar Bullgarisë nga shërbimet partnere”.
Në një video për sulmin e 18 korrikut, të cilën e pat publikuar policia, shihej sulmuesi që kishte të veshur pantolla të shkurtëra, një bluzë të kaltër e që në shpinë mbante një çantë.