Bullgaria kundër komunitetit LGBT, Presidenti nënshkruan ligjin që ndalon promovimin në shkolla

Presidenti Bullgar, Rumen Radev, ka miratuar ligjin që ndalon promovimin e komunitetit LGBT në shkolla, pavarësisht kundërshtimit nga intelektualët dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Ligji, që ndalon “propagandën, promovimin apo nxitjen” në sistemin arsimor të “ideve dhe qëndrimeve që lidhen me orientimin seksual jotradicional apo për identitetin gjinor të ndryshëm nga ai biologjik”, do të hyjë në fuqi nesër.
Qindra akademikë bullgarë, përmes një letre të hapur, i kërkuan presidentit Radev që të vendosë veto ndaj këtij amendamenti. Ata thanë se ndryshimet synojnë të trajtojnë “një problem që nuk ekziston” në sistemin arsimor të Bullgarisë dhe në vend të kësaj do të “normalizojë sulmet politike” ndaj komunitetit LGBT.
Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty, po ashtu i kishte bërë thirrje presidentit që të mos e nënshkruajë ligjin, duke theksuar se ishte “shumë i shqetësuar” për miratimin e tij. Radevi nuk bëri ndonjë reagim publik, por u përgjigj duke miratuar ligjin.
Amendamenti u propozua nga partia pro-ruse e ekstremit të djathtë, Rilindja, dhe kaloi me 159 vota për, 20 kundër dhe dhjetë abstenime. gusht. Mbështetësit e këtyre amendamenteve thanë se ato reflektojnë frymën e Kushtetutës së Bullgarisë, ku thuhet se martesa është vetëm mes një burri dhe një gruaje dhe bazohet në vlerat e krishtera ortodokse. Miratimi i ligjit ka ngjallur shumë pakënaqësi dhe priten protesta nga shoqëria civile.
/rtsh/