E Martë, 3 Nëntor 2026

Erdogan takohet me liderin palestinez Abbas

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti në një takim në Ankara liderin palestinez Mahamoud Abbas, për të biseduar për konfliktin në Rripin e Gazës. Dy liderët biseduan për sipas tyre “masakrat që po kryen Izraeli në territoret palestineze” dhe për “hapat që duhet të ndërmerren për një armëpushim të përhershëm dhe për paqe”. 

Erdogani u zotua për ta vazhduar mbështetjen për kauzën e drejtë të Palestinës  dhe për të punuar për rritjen e presionit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Izraelit,  posaçërisht nga bota islamike për dërgimin e ndihmave humanitare dhe për sigurimin e paqes. 

Abbas po viziton Ankaranë në një periudhë ku Irani është zotuar për hakmarrje ndaj Izraelit për vrasjen e liderit të Hasmasit Ismail Haniyeh. Kërcënimi i Iranit ka ngjallur frikë në Lindjen e Mesme për një konflikt gjithëpërfshirës. Lideri palestinez pritet të mbajë fjalim në një seancë speciale në Parlamentin e Turqisë. 

Erdogan njihet si një mbështetës i kauzës Palestineze, dhe një ndër kritikuesit më të mëdhenj të Izraelit dhe operacioneve ushtarake që ka ndërmarrë në Gaza duke e krahasuar  Netanyahun me Hitlerin. 

Vrasja e Haniyehut më 31 korrik në Iran nga një sulm  izraelit, ka përshkallëzuar tensionet rajonale, dhe frikën se Irani do të përgjigjet. 

Pak para mbërritjes së Abbasit në Turqi, ambasadori amerikan në Turqi, Jeffry Flake, tha se Uashingtoni po e kërkon ndihmën e Turqisë dhe qeverive të tjera mike të Teheranit, për shtensionimin e situatës.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›