Udhëheqësi i Bjellorusisë i kërkon Ukrainës dhe Rusisë që t’i japin fund konfliktit

Volodymyr Zelenskyy thotë se trupat pushtuan qytetin Sudzha në rajonin e Kursk, ndërsa Alexander Lukashenko i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që t’i japin fund konfliktit të tyre për të shmangur përhapjen e tij në Bjellorusi.
Aleati kryesor i Vladimir Putin i ka kërkuar Ukrainës dhe Rusisë që t’i japin fund konfliktit të tyre për të shmangur përhapjen e luftës në Bjellorusi.
Duke folur për televizionin shtetëror rus, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se vetëm “njerëz të rangut të lartë me origjinë amerikane” donin që lufta të vazhdonte. Perëndimi, tha ai, po inkurajonte Kievin të luftonte sepse dëshiron që Ukraina dhe Rusia “të shkatërrojnë njëra-tjetrën”.
Lukashenko e ka pozicionuar veten si një mbështetës kryesor të Putinit që kur presidenti rus urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022 – një pjesë e të cilit u organizua nga toka bjelloruse. Por, në vend që të lejonte që betejat të vazhdojnë, ai kërkoi që të zhvillohen bisedime.
“Le të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe t’i japim fund kësaj përleshjeje”, tha ai.
“As populli ukrainas, as rusët, as bjellorusët nuk kanë nevojë për të. Ata (Perëndimit) kanë nevojë për të.”
Pjesë nga intervista gati dy orëshe u publikuan në faqen e internetit presidenciale të Bjellorusisë më herët sot.
Ai foli pasi Ukraina nisi pushtimin e saj në rajonin Kursk të Rusisë javën e kaluar. Kievi ka thënë se forcat e tij kanë avancuar 35 km në Rusi që nga fillimi i inkursionit dhe vazhdojnë të fitojnë terren.
Por, zoti Lukashenko sugjeroi, pa dhënë prova, se Ukraina mund të kishte plane për të sulmuar Bjellorusinë. Ai tha se Minsku nuk do të lejojë që trupat ukrainase të “shkelin vendin tonë”.
Ai sugjeroi se Perëndimi po vinte bast se situata destabilizuese në Kursk do të inkurajonte një mobilizim të trupave si në Bjellorusi ashtu edhe në Rusi dhe “të shkundte shoqërinë nga brenda”.
“Ne nuk duam përshkallëzim dhe nuk duam një luftë kundër të gjithë NATO-s. Ne nuk e duam këtë,” tha ai.
Por nëse Ukraina provokon Bjellorusinë, paralajmëroi ai, “nuk do të kemi zgjidhje tjetër”.
Të shtunën, Minsk tha se po dërgonte trupa për të përforcuar kufirin e tij jugor me Ukrainën, pasi akuzoi Kievin për shkelje të hapësirës së tij ajrore me dronë. Kievi tha se nuk kishte parë shenja të një rritjeje të tillë. Sky
/rtsh.al/