Bullizmi online njeh vetëm rritje, ekspertët: Konfliktet e nisura në TikTok po shkaktojnë pasoja të rënda

Jeta online për shumë të rinj është kthyer në një arenë gare e lidhur me dëshirën për të qenë mbi moshatarët e tyre, edhe nëse do të duhet të përdorin bullizmin si mjet.
Rrjetet sociale dhe platformat digjitale janë hapësira ku bullizuesit veprojnë lirshëm, të mbrojtur nga anonimiteti dhe mungesa e përgjegjësisë.
“Sot sidomos në platforma si TikTok është më e thjeshtë për të hapur një account. Është një platformë që nuk ruan krijime të accounteve fake. Në të kundërt është Meta që plotëson të gjithë rregullat e BE. TikTok nuk e bën këtë gjë dhe aty është probabiliteti më i madh për të krijuar account-e fake dhe aty janë më shumë account fake”, thotë eksperti i IT, Tomi Kallanxhi.
Bullizmi pas ekranit si nevojë për dominim, sjell pasoja të rënda psikologjike.
“Situata paraqitet problematike, të rinjtë shpesh herë ndihen të ngacmuar, bullizuar, të frustruar nga njëri-tjetri nëpërmjet bullizimit online. Te adoleshentët që janë duke u formuar emocionalisht e kanë shumë të nevojshme për të qenë të kuptuar, të pranishëm dhe për të marrë pëlqimin e të tjerëve. Kur kjo nuk ndodh, por ndodh bullizimi ngacmimi ofendimet, ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si mendojnë, si ndihen, në vetëvlerësimin, në ndjenjat e ankthit dhe në mënyrën si përshtaten në botën reale”, thotë Anora Kroj, psikologe.
Mungesa e njohjes së kufirit të shpërndarjes së privatësisë online i bën të rinjtë më të ekspozuar ndaj sulmeve digjitale. Edukimi për përdorimin e sigurt të teknologjisë është i domosdoshëm.
“Do të duhet që në shkolla të bëjmë një etikë digjitale, ku të rinjtë të mësojnë çcfarë janë informacionet që nuk duhet të shpërndahen online, fotot, kush është privatësia e tyre, kush janë detajet, si dallohet një aplikacion, si të dallohen disa persona për të cilët duhen të kenë kujdes. Duhet të implementohet që të rinjtë të dijnë çfarë i pret në atë botë digjitale.
Aplikacionet kanë të gjitha atë që quhet family sharing, që familja monitoron thuajse në real time”, thotë Kallanxhi.
Sipas UNICEF në Shqipëri, 72% e fëmijëve më të ndjeshëm psikologjikisht përjetojnë bullizëm kibernetik, me forma që shkojnë nga ngacmimi seksual te keqpërdorimi i të dhënave personale dhe sulmet ndaj jetës private./vizionplus.tv