“Rama pengon arrestimin e Ballukut”, PD: Kërkojmë mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve

Anëtarësia opozitare e Këshillit të Mandateve, përjashton mundësin e zhvillimit të mbledhjes pas 20 janarit, siç kërkon mazhoranca.Gjatë një konference nga selia blu, kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi u shpreh se demokratët do të veprojnë sipas ligjit.
“Po tentohet të zvarritet ngjarja. Këshilli i Mandateve është mbledhur gjithmonë brenda 48 orë, i ka dhënë kohë personit 48 orë dhe brenda 72 orësh ka miratuar kërkesën në seancë plenare. Ky është rasti i parë ku mbyllet mbledhja pa caktuar mbledhje tjetër”, tha Bardhi.
Bardhi dha detaje edhe nga mbledhja me dyer të mbyllura e të premtes ku theksoi se socialistët nuk binin dakord për një datë.
“Ndërkohë që Edi Rama ka vendosur të marrë kohë të pacaktuar, duke thënë fillimisht se mbledhja do të zhvillohej pas datës 19 janar, e më pas në një moment tjetër. Në mbledhje na thanë se duhej 20 minuta pushim për të caktuar një datë, shkuan në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe u kthyen duke thënë se mbledhja mbyllet pa caktuar asnjë datë dhe pa marrë asnjë vendim”, tha Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat akuzoi socialistët se po përpiqen të mbrojnë zëvëndëskryeministren Balluku me urdhër të kryeministrit.
“Çdo interpretim tjetër e provon qartë atë që po themi sot: se Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë, që ai vetë dhe e pandehura Belinda Balluku të fshehin prova dhe të intimidojnë dëshmitarët. Ky është shqetësimi i ngritur disa herë në mbledhje nga prokurorët e SPAK”, tha Bardhi.
Pas pesë orësh diskutime ditën e premte, Këshilli i Mandateve u shty pa një afat, ndërsa prokurorët e çështjes nuk parashtruan pretendimet e tyre sa i përket akuzave ndaj Ballukut.